15 milion euro për një sulmues, Barcelona surprizon me lëvizjen në merkato
Barcelona ka piketuar sulmuesin e ardhshëm dhe është afër akordit për transferimin e tij në “Camp Nou” në merkaton e janarit. I përzgjedhuri i drejtuesve katalanas është Arthur Cabral, sulmuesi i Baselit në Zvicër.
23-vjeçari brazilian (është grumbulluar me 5 herë kampionët e botës, por pa mundur të debutojë akoma) po zhvillon një sezon fantastik me ekipin helvet, aty ku luajnë edhe Taulant Xhaka, Edon Zhegrova dhe Pajtim Kasami.
Goal.com shkruan se Barcelona ka rënë dakord të paguajë 15 milion euro për kartonin e lojtarit latin, i cili këtë sezon numëron 25 gola të shënuar mes kampionatit dhe kompeticioneve europiane.
Ish-lojtari i Barçës, Deco, i cili është përfaqësues i klubit iberik në Amerikën Latine, është takuar dy javë më parë me agjentin e lojtarit në Portugali, duke ia bërë të qartë që Barcelona beson shumë te cilësitë e futbollistit ofensiv.

Futja e West Ham në garë për Arthur Cabral, ka trembur spanjollët, që ka vendosur të shpenzojë shumën e kërkuar nga drejtuesit e klubit zviceran. Arritja e akordit final është çështje kohe, teksa i vetmi problem që duhet zgjidhur lidhet me mënyrën e pagesës së 15 milion eurove.
Baseli pretendon një këst të plotë dhe të menjëhershëm, ndërsa në Spanjë duan që kjo shumë të ndahet në tre këste me nga 5 milion euro. Gjithsesi, një gjë e tillë pritet të mos bëhet pengesë në arritjen e marrëveshjes zyrtare për transferimin e Arthur Cabral nën urdhrat e Xavit.



