17:00, Tirana-Laçi, sfidë me “aromë” Europe!
Europa kalon nga Laçi për Tiranën. Kupa e Shqipërisë që Tirana të kapë Europën në këtë sezon, por përpara se të mendojnë për trofeun bardheblutë e Ardian Memës, fillimisht duhet të heqin “qafe” Laçin, që në këtë sezon mund të thuhet se ia ka pirë “gjakun” kryeqytetasve duke i mundur dy herë në kampionat, madje pikërisht pas asaj humbjeje ndaj Laçit në fazën e parë erdhi edhe shkarkimi i brazilianit Ze Maria nga stoli i Tiranës. Sot në orën 17:00 në Selman Stërmasi, megjithatë do të jetë një tjetër histori me dy skuadrat që pritet të tregohen të kujdesshme pasi luhet vetëm 90 minutësh i pari, i këtij akti çerekfinal. Tirana kërkon të riniset nga ajo pjesë e dytë që zhvilloi ndaj Laçit në fazën e dytë, sfidë në të cilën u mposht 2-1 pas dy golave të shpejtë të skuadrës së Besnik Prengës, gjithsesi paraqitja e bardhebluve në fraksionin e dytë ishte shumë pozitive. Laçi në krahun tjetër edhe në këtë sezon do të kërkojë të shkojë sa më larg në Kupën e Shqipërisë, pasi ky kompeticion është edhe habitati i preferuar i kurbinasve të cilët e kanë fituar dy herë por kanë humbur edhe dy finale ndaj Kukësit dhe Skënderbeut, vitin e kaluar. Nuk pritet të ketë rotacion përsa i përket formacioneve nga asnjë prej trajnerëve të cilët do të hedhin në fushë 11-shet më të mira të mundshme.



