Besart Ibraimi rigjen golin, Shkëndija mposht Zilinan
Shkëndija e Tetovës nuk zhgënjen as në miqësore. Pas triumfit minimal ndaj Olimpijas së Ljubljanës dhe humbjes po 1-0 ndaj çekëve të Zlin, kampionët e Maqedonisë së Veriut kanë regjistruar suksesin e dytë në tokën sllovene pasi kanë bindur në miqësoren e tretë ndaj gjigandëve sllovakë të Zilinas duke triumfuar me rezultatin minimal 1-0. Në këtë fazë përgatitore skuadra e Qatip Osmanit po tregon se është përmirësuar shumë në mbrojtje, ndërkohë që edhe në sulm krijon shumë raste pavarsisht se golat kanë qenë të paktë. Ndaj Zilinas vendosi goli i të rikthyerit të madh Besart Ibraimi i cili luajti si titullar për herë të parë që pas atij dëmtimi të rëndë që pësoi para disa muajsh dhe arriti të linte shenjë me gol spektakolar prej një bomberi të vërtetë, finalizim që i dha fitoren Shkëndijës. Pavarsisht se në pjesën e dytë trajneri Osmani bëri shumë ndërrime, kuqezinjtë tetovarë e ruajtën epërsinë duke marrë një fitore morali që rrit optimizmin përpara sfidës së dyfishtë ndaj estonezëve të Nomme Kalju në turin e parë kualifikues të Champions League.



