2 francezë nderojnë Mourinhon, United mban premtimin!
Manchester United mori fitoren e 5-të sezonale në Premier League pasi mposhti me rezultatin e ngushtë 2-1 Everton në Old Trafford duke parakaluar në renditje pikërisht skuadrën e Marco Silvas që mbeti në kuotën e 15 pikëve. Heroi i United në këtë sfidë ishte padiskutim francezi Anthony Martial i cili fitoi një 11-metërsh, realizoi golin e sigurisë por në fund gaboi një rast të artë për ta çuar në 3-1 rezultatin. Në minutën e 27-të Pogba kaloi në avantazh, Djajtë e Kuq. Mesfushori francez gaboi fillimisht penalltinë por arriti të realizonte pas topit të kthyer Pickford. Në fillimin e pjesës së dytë Martial shënoi golin e dytë për skuadrën e Mourinhos ndërsa Sigurdsson me një 11-metërsh rihapi sfidën në minutën e 77-të dhe mbajti në ankth Mourinhon deri në sekondën e fundit.Me këtë fitore Manchester United u ngjit në vendin e 8-të në kuotën e 17 pikëve. Ndërkohë kjo sfidë ishte e veçantë edhe për faktin se 12 fëmijët e ngecur në një shpellë në Tajlandë në 4 korrik të këtij viti duke qëndruar të bllokuar aty për më shumë se 2 javë ishin të pranishëm në Old Trafford. United e mbajti premtimin duke e bërë realitet ëndrrën e këtyre futbollistëve të vegjël të cilët ishin të veshur të gjithë me kostumet e Djajëve të Kuq.




