Kategoria Superiore

26 herë kampione e Shqipërisë, Tirana si askush tjetër

26 herë Tirana, si askush tjetër. Bardheblutë ja dolën 3 javë përpara fundit të shpallen kampionë të Shqipërisë, në një sezon ku ashtu si dy vjet më parë nuk u nisën si favoritë, por që javë pas jave ndërtuan suksesin e tyre. E bënë me Partizanin, rivalët e përjetshëm, në derbin që simbolizon dhe një pjesë të rëndësishme të historisë së tyre, me golat e Seferit dhe Totres, që bashkë me Xhixhën, kanë qenë disa prej lojtarëve më të rëndësishëm bardheblu.

Ishte kurorëzimi i një sezoni, ku Tirana u kuptua që pas fazës së parë se ishte ndërtuar për të qenë kampione, dhe që pikën e trofeut e shtyu madje për disa javë me rrallë. Në ndryshim nga dy vjet më parë, Tirana e këtij viti ishte më e pjekur duke treguar javë pas jave se titulli nuk mund të merrte rrugë tjetër përveç asaj të kryeqytetit.

Një Tiranë e suksesshme në të gjitha drejtimet, në presidencë, rangje drejtuese dhe në stol, ku Orges Shehi, pati një peshë të madhe me menaxhimin e tij në suksesin bardheblu. Një Tiranë që dukshëm kishte sulmin më të mirë të kampionatit, falë dhe dyshes Seferi-Xhixha, autorë të 30 golave në total, dhe të dy në garë për këpucën e artë.

Një Tiranë e fortë dhe në mbrojtje ku dhe Visar Bekaj, me titullin e tij të parë shqiptar, mund të konsiderohet si një prej pikave më të forta të kësaj skuadre, apo dhe kontributin e Hoxhallarit, Toshevskit dhe Totres e të gjithë ekipit.

Ky ishte viti i Tiranës, për shumë arsye duke mos patur një dominim rastësor në garën e titullit, pasi i mori me radhë të gjithë kundërshtarët e saj, duke fituar madje dhe me goleada, si për të konfirmuar se kjo Tiranë është kthyer në fron, për të qenë aty jo vetëm në një vit, por dhe në vazhdimësi. Për të 26 herë titulli kampion është i Tiranës, për një sezon që vërtetë u vesh bardheblu.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency