Shkurt/ Jovic i padëshirueshëm në Madrid, Bayerni gjen pasuesin e Kingsley Coman
Luka Joviç është në një situatë të vështirë te Reali i Madridit. Sulmuesi serb, që nuk aktivizohet dhe nuk shihet titullar as nga Ancelotti ashtu si nga Zidane më parë, tani është i padëshirueshëm edhe për tifozët. Lojtari luajti ndaj Shakhtarit vetëm 11 minuta si zëvendësues i Benzemasë dhe tifozët e Reali të Madridit e vërshëllenin sa herë që prekte topin. Në një situatë të tillë, largimi në merkaton e dimrit është i pashmangshëm për serbin.

Karim Adeyemi po shkakton një ankand të vërtetë mes klubeve të mëdha të Europës. Sulmuesi i ri i Salzburgut kishte një takim me drejtuesit e Interit pak ditë më parë, ndërsa tani mësohet se menaxherët e tij janë në Madrid ku po shqyrtojnë ofertat nga Real dhe Atletico. Gjithashtu Barcelona e konsideron si opsion të mundshëm për sulmin dhe e gjithë kjo konkurrencë po rrit çdo ditë çmimin e kartonit të tij. 1 muaj më parë mjaftonin 20 milionë euro, ndërsa tani duhen të paktën 30-35 milionë për 19-vjeçarin.

Trevoh Chalobah është një nga surprizat e Chelsea-t këtë sezon. 22-vjeçari, produkt i akademisë, pas disa vitesh huazim tani ka fituar besimin e drejtuesve dhe të Tuchelit, teksa ka luajtur 10 ndeshje deri tani në të gjitha kompeticionet. Mbrojtësi anglez u shpërblye nga klubi për paraqitjet e tij me një kontratë të re, që praktikisht e “blindon” atë për vitet e ardhshme në “Stamford Bridge”. Mbrojtësi anglez që ka shënuar 2 gola këtë vit, firmosi kontratën e re deri në vitin 2025 me pagë të përmirësuar, siç njoftoi klubi anglez.

Bayerni po mendon për pasuesin e Kingsley Coman. Me sulmuesin francez që nuk po rinovon dhe pritet të shitet, drejtuesit po mendojnë për një tjetër lojtar nga Franca për të përforcuar skuadrën sezonin e ardhshëm. Bëhet fjalë për Mousa Diaby, sulmuesin e Bayer Leverkusenit, që këtë sezon ka shpërthyer me “Aspirinat” me 6 gola e 4 asiste më 15 ndeshje. 45 milionë euro është kërkesa e Leverkusen për sulmuesin që u ble 15 milionë euro 2 vite më parë nga Paris Saint Germain.




