4 gola për të kapur çerekfinalet, Lazio paralajmëron Fiorentinën
Pas Milan-Inter mësohet edhe çifti i dytë çerekfinalist i Kupës së Italisë. Do të jetë Lazio-Fiorentina. Bardhekaltrit e Simone Inzaghit e kishin gjithçka të thjeshtë përballë Citadellës. Në Olimpico Lazio kaloi me rezultatin 4-1 skuadrën e Serisë B në raundin e 1/8-ave duke avancuar më tej. Në fushë trajneri Inzaghi hodhi një skuadër të ndërrthurur me mes lojtarëve titullarë dhe atyre të stolit, me Thomas Strakoshën , Stefan De Vrij, Ciro Immobilen dhe Lucas Leivan e Milinkovic-Savic që e nisën sfidën që nga minuta e parë. Ishte Immobile ai që zhbllokoi shifrat pas 11 minutash lojë. Në të 24-tën erdhi i Felipe Anderson. Rikthim më të mirë në fushë si titullar nuk mund të kishte për brazilianin. Autogol i Camiglianos i çoi shifrat në 3-0 ndërkohë që rihapi sfidën me një supergol Bartolomei në minutën e 41-të. Nuk kishte asnjë mundësi reagimi Strakosha në golin e miqëve. Në pjesën e dytë Citadella provoi të shënonte edhe një tjetër gol por portieri shqiptar u shfaq në lartësinë e duhur duke ruajtur portën të paprekur. Në minutat e fundit Ciro Immobile me një gol të bukur me parabol vulosi rezultatin në 4-1 me Lazion që preu biletën e çerekfinaleve.



