Serie A

43 tentativa për një gol, Ronaldo thyen “mallkimin” e goditjeve të dënimit

Që prej verës së 2018-ës kur iu bashkua Juventusit, Cristiano Ronaldo u shndërrua në një lider të bardhezinjve, duke shënuar shumë gola, por goditjet e dënimit i ishin kthyer në një makth, pasi nuk po arrinte t’i dërgonte më në rrjetë.

Plot 43 tentativa në thuajse dy sezone, kanë shkuar dëm nga portugezi, i cili e kishte kthyer në një sfidë shënimin e golit nga goditja e dënimit, diçka që e bënte shpesh kur vishte fanellën e Realit të Madridit, por nuk po ia dilte me atë bardhezi mbi shpinë.

Megjithatë “mallkimi” u thye pasditen e sotme në derbin ndaj Torinos, kur CR7 ekzekutoi në mënyrë perfekte një goditje dënimi mbi vijën e 16 metrave dhe dërgoi sferën në rrjetën e portës së Sirigut, ku ky i fundit ndonëse e preku topin, nuk arriti t’i ndërrojë udhë.

Herën e fundit që Ronaldo kishte shënuar nga goditja e dënimit, ishte më 16 dhjetor të 2017-ës, në një sfidë të vlefshme për Botërorin e Klubeve, mes Realit të Madridit dhe Gremios, ndërsa pas ndeshjes portugezi nuk e fshehu kënaqësinë që “u zhbllokua”.

“Kisha nevojë për një gol nga goditja e dënimit, për të rritur më shumë besimin. Më mungonte vërtetë shumë një gol i tillë. Zhvilluam një ndeshje mjaft të mirë dhe morëm një tjetër fitore në rrugën tonë drejt titullit kampion”, deklaroi portugezi pas ndeshjes.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency