50 milionë € investim/ Arsenali zyrtarizon sulmuesin e Brazilit, zgjedh numrin 9
Marrëveshja ishte arritur prej ditësh, teksa sot ka ardhur edhe zyrtarizimi: Gabriel Jesus është lojtari më i ri i Arsenalit.
Klubi londinez pagoi 50 milionë euro te Manchester City për kartonin e brazilianit, duke i dhuruar trajnerit Arteta qendërsulmuesin që kërkonte.

25-vjeçari ka firmosur një kontratë 5-vjeçare me “Topçinjtë”, ndërkohë që ka zgjedhur të veshë fanellën me numër 9 tek ekipi londinez.
Gabriel Jesus luajti me ekipin e Pep Guardiolës në pesë sezonet e fundit, gjatë së cilave fitoi dhjetë trofe (katër herë Premier League).

Lojtari i kombëtares braziliane (56 ndeshje dhe 19 gola) realizoi 58 gola në 159 ndeshje të luajtura me Manchester City.
“Jam i lumtur që kam ardhur këtu, dua të ndihmoj Arsenalin. Kam ardhur të jap kontributin tim dhe të mësoj, do të jap më mirën time“, deklaroi Gabriel Jesus pas firmosjes së kontratës.
TESTONI NJOHURITË TUAJA RRETH PREMIER LEAGUE
QUIZ/ Premier League 2021-2022 – Sa mirë e kujtoni sezonin që sapo u mbyll?



