Futboll

6 orë seancë, Skënderbeu me dëshmitë e lojtarëve aktualë dhe ish-ëve në Apelin e UEFA-s

Gjashtë orë dëshmi dhe përballje faktesh në panelin e Komisionit të Apelit të UEFA-s. Edhe pse vëmendja për betejën ligjore kundër dënimit 10-vjeçar dhe gjobës me vlerë 1 milion euro u orientua prej fillimit drejt CAS-it në Lozanë, te Skënderbeu vendosën të kërkojnë të drejtën edhe te UEFA.

Kjo pavarësisht faktit se historia e vendimeve të organeve të konfederatës europiane të futbollit tregon se thuajse asnjëherë Apeli nuk e kthen vendimin e dhënë nga Komisioni i Disiplinës. Gjithsesi korçarët vendosën të luanin të gjitha kartat e tyre, madje pavarësisht këmbënguljes së instancave të UEFA-s se përpara panelit të Apelit nuk mund të jepen dëshmi, klubi organizoi mbrojtjen me lojtarët dhe ish-lojtarët, për tu hedhur më pas në sulm.

Përpara presidentit, dy zëvendës-presidentëve dhe nëntë anëtarëve të Komisionit të Apelit, përveç presidentit Ardjan Takaj u paraqitën edhe mesfushori Sabien Lilaj, si edhe ish-kapiteni Bledi Shkëmbi, që aktualisht drejton Lirinë e Prizrenit në Superligën e Kosovës. Ndërkohë, nga stadiumi i Korçës, që për këtë rast ishte izoluar dhe nuk u lejua asnjë media, në lidhje video u organizua dëshmia e mesfushorit Bakary Nimaga. Për më tepër, në mbrojtjen e Skënderbeut konsistonin edhe dëshmitë e dy ish-yjeve të skuadrës, Bernard Berisha dhe Liridon Latifi.

Të gjithë pa përjashtim hodhën poshtë çdo akuzë për trukime, ndërsa në anën tjetër, edhe pse dëgjuan dëshmitë, anëtarët të Apelit të UEFA-s vazhdojnë të qëndrojnë të bindur te raportet e sistemit “Betting Fraud Detection System”, që nëpërmjet bashkëpunimit me Kompaninë Sport Radar synon të evidentojë trukimin e ndeshjeve nëpërmjet lëvizjeve të pazakonta të koefiçientëve të basteve.

 

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency