8 ndeshje në një muaj, prilli sfiltës për gjysmëfinalistet e Kupës
Prilli pritet të jetë një muaj sfilitës për futbollin shqiptar, në veçanti për 4 skuadrat pjesëmarëse në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë. Në periudhën nga 28 marsi deri më 28 prill pritet të luhen 6 javë, ku vetëm duelet e javës së 27-janë të parashikuara për t’u zhvilluar në mesjavën e 28-29 marsit. Gjatë kësaj periudhe mund të vendoset fati i kampionatit me skuadrat që janë shumë pranë njëra-tjetrës.
Në këtë kohë mund të ndikojë edhe lodhja, sidomos për 4 skuadrat gjysmëfinaliste të Kupës, të cilat për të njëjtën periudhë do të luajnë 8 takime, ku praktikisht pritet të zbresin në fushë çdo 3 ditë. Nuk do të mungojnë edhe përballjet direkte ndërmjet skuadrave, kur shohim që në garë për zonën europiane janë nga Kamza e vendit të 7-të deri te Kukësi i vendit të dytë.
Diferenca është 11 pikë, por me 6 skuadra në valle dhe kalendarin e ngjeshur asnjë llogari nuk mund të bëhet këtë moment, pasi rruga për të shkuar deri në fund paraqitet e vështirë. Lodhja, dëmtimet por edhe pezullimet janë pjesë e lojës dhe në këtë këndvështrim kjo periudhë shihet si më e vështira për të gjitha skuadrat e kampionatit, që synojnë të përmbushin objektivat sezonal.



