Montella: Mbrëmje pozitive. Objektivi, Champions
Milani i ri po nis të marrë formë. Fitorja me shifrat 6-0 ndaj Shkëndijës së Tetovës në San Siro në ndeshjen e parë të play-off-it të Europa League ishte një sinjal se kuqezinjtë do të jenë të frikshëm në këtë sezon dhe janë pothuajse gati për fillimin e Serisë A dhe për ndeshjen e parë ndaj Crotones. Shkëndija bëri aq sa kishte mundësi përballë një Milani që nisi me marshin e 5-t sfidën dhe trajneri Vincenzo Montella nuk ka sesi të mos gëzohet kësaj fitoreje, pasi tashmë kualifikimi në grupet e Europa Leagues është një mision i arritur për kuqezinjtë të cilët pritet ta kenë thjeshtë një formalitet sfidën e kthimit në Shkup.
“Ishte një ndeshje të cilën e interpretuam shumë mirë. Kishim dëshirë për të fituar, shpirti ishte ai i duhur po ashtu edhe sjellja e skuadrës në fushë. Gjërat shkuan mirë për ne dhe sfida ndaj Shkëndijës u bë më thjeshtë sesa e kishim parashikuar. Por gjithsesi gjatë kishim disa ndalesa për të cilat duhet të punojmë. Ishte një mbrëmje pozitive, por duhet të vazhdojmë të punojmë për t’u përmirësuar dhe për të arritur objektivat tanë. Jemi vetëm në fillim të sezonit. Më vjen keq për dëmtimin e Bonaventurës. Andre Silva? Zhvilloi një ndeshje të madhe por pres shumë më tepër nga ai dhe nuk duhet të kënaqet me kaq”.
Fitorja ndaj Shkëndijës i lë rradhën sfidës së parë të kampionatit me Milanin që të Dielën në mbrëmje do të sfidojë Crotonen dhe pas shqiptarëve të skuadrës tetovare do të ketë përballë një tjetër futbollist kuqezi pikërisht mbrojtësin e kombëtares Arlind Ajeti.



