Mario Balotelli – 10 vite karrierë, në foto
16 dhjetor 2007. Mario Balotelli debutoi në Serinë A me fanellën e Interit, në sfidën e Sardenjës ndaj Cagliarit dhe 3 ditë më pas shënon një dygolësh në Kupën e Italisë, përballë Regginës. 6 tituj të fituar me Interin, mes tyre 3 kampionate dhe një Champions, por edhe një episod i pakëndshëm, me hedhjen e fanellës zikaltër në tokë, pas sfidës së parë gjysmë-finale ndaj Barcelonës, që solli edhe irritimin e tifozërisë.
Më pas, në verën e 2010-ës kalon te Manchester City i Mancinit, trajnerit që e kishte zbuluar dhe lançuar në futbollin profesionist. Në Angli Super Mario fiton Kupën FA në sezonin e parë dhe titullin kampion në të dytin. Nga janari i 2013-ës deri në verën e 2016-ës vjen 2 herë te Milani, me një periudhë të shkurtër të kaluar te Liverpooli.
Aktualisht, prej më tepër se 1 viti luan me francezët e Nices, ku duket se ka gjetur stabilitet si nga ana sportive, ashtu edhe nga ajo psikologjike. Balotelli ka dhënë kontributin e tij edhe me kombëtaren italiane, ku mbetet i paharruar dygolëshi ndaj Gjermanisë në gjysmë-finalen e Europianit të 2012-ës.



