Juventus kërkon ‘krahë’ në janar
Bardhezinjtë vijojnë të punojnë për merkaton, teksa objektivat për janarin janë ndërhyrjet në krahët e mbrojtjes. Mbrojtësi brazilian Alex Sandro ka probleme me Allegrin dhe duket me valixhe gati, ndërsa për të nuk mungojnë ofertat nga Premier League me Chelsean dhe Manchester Unitedin, në krye të listës.
Për zëvendësimin e tij Marotta ka piketuar italo-brazilianin e Romës, Emerson Palmeiri. Ky i fundit shkëlqeu sezonin e kaluar nën drejtimin e Spallettit, por ardhja e Kolarov në atë krah, ia ka mbyllur thuajse fare hapësirat. Megjithatë, Allegri nuk duket i kënaqur as më krahun e djathtë, ku as Lichtsteiner dhe as De Sciglio nuk bindin plotësisht.
Për këtë arsye bardhezinjtë janë gati të hyjnë në garë me Napolin, për të transferuar mbrojtësin kroat të Atletico Madridit, Sime Vrsaljko. Ky i fundit është një njohës i mirë i Serisë A, pasi aty shkëlqeu fillimisht me bluzën e Sassuolos. Për t’i bërë vend Vrsaljkos, duket se do të largohet pikërisht mbrojtësi veteran i Zvicrës, Stephan Lichtsteiner.



