Bundesliga

Muller: ‘Magjia’ e Heynckesit na riktheu te suksesi

Pas një starti aspak pozitiv të sezonit për Bayern Mynih, pasojë e të cilit ishte edhe shkarkimi i një trajneri me peshë si Carlo Ancelotti, uniteti i gjigantëve gjermanë të Bundesligës duket se është rindërtuar duke sjellë edhe një ecuri të mirë të bavarezëve në kampionat. Për Tomas Muller nuk ka dyshime, meritë për suksesin pas disfatës, ka Jupp Heynckes.

Trajneri veteran me një eksperiencë dhe suksese mbresëlënëse, u ul për të tretën herë në karrierë në stolin e këtij ekipi, gjatë muajit tetor. Largimi i Ancelottit ishte i paparashikuar dhe krijoi edhe më shumë kaos brenda dhomave të zhveshjes, që shihte një grup të ndarë, por Heynckes sërish diti të afronte lojtarët dhe të qetësonte klimën.

“Nuk mund të them nëse ajo që bëri Heynckes ishte magji, por di të them se me ardhjen e tij e gjithë skuadra u bë shumë më e përgjegjshme. Ne bënim shumë gabime individuale dhe në atë kohë dukej se asnjë metodë apo strategji, qoftë edhe më e mira në botë, nuk do të na ndihmonte dot të dilnim nga ajo gjendje në të cilën kishim rënë, por Jupp Heynckes arriti të menaxhonte në mënyrë të shkëlqyer situatën falë instiktit të tij, që nuk gabon kurrë dhe krijoi sërish unitet dhe harmoni mes nesh. Duhet ende të japim më të mirën tone, por jemi shumë optimistë”, u shpreh Muller.

Perfomanca më e mirë e Bayernit në këtë sezon deri më tani duket të jetë ajo në Champions League, ku ata fituan 3-1 ndaj Paris Saint-Germain. Edhe pse pas atij rezultati ata kanë pësuar edhe humbje, sërish Muller beson se ajo fitore në “Allianz Arena” nuk duhet zbehur, sepse tregoi për një dominancë të cilën bavarezët e kanë brenda vetes dhe duhet pak për ta rigjetur e mbajtur sërish.

“Sigurisht që në futboll, në fund ka rëndësi vetëm rezultati, por unë mendoj se nuk duhen harruar edhe detajet e një takimi. Gjithsesi sikundër të gjithë në këtë sport, edhe ne herë fitojmë e herë humbasim, por tashmë jemi sërish të vetëdijshëm për forcën tonë, falë Jup Heynckes dhe do të bëjmë maksimumin për të ruajtur dominancën dhe statusin e një klubi elitar që shënon seri fitoresh e suksesesh”, tha sulmuesi gjerman i bavarezëve.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency