Fiorentina mposht Cagliarin dhe paralajmëron Lazion
Pas 2 barazimeve radhazi, Fiorentina e Stefano Piolit rikthehet te fitorja. Një gol i sulmuesit senegalez Kouma Babacar i mjaftoi skuadrës vjollcë për të mposhtur 1-0 Cagliarin brenda në Sardenjë dhe për t’u ngjitur përkohësisht në vendin e 7-të të Serisë A. Një fitore e rëndësishme për Fiorentinën që vjen vetëm pak ditë përpara çerekfinales së Kupës së Italisë ndaj Lazios që do të luhet të martën e ardhshme, një takim në të cilin vjollcët do të shkojnë me një moral shumë të lartë dhe do të kërkojnë të bëjnë surprizën duke avancuar më tej. Vetëm në minutën e 82-të u zhbllokua sfida kur Chiesa krosoi saktë për Babacar që i ardhur në fushë nga stoli gjeti devijimin fitues për t’i dhënë 3 pikët Fiorentinës. Në minutat shtesë arbitri Di Bello i ndihmuar edhe nga VAR la me 10 lojtarë sardët pasi nxorra nga fusha me karton të kuq Joao Pedron.



