Sowe: Dua më shumë gola dhe titullin me Skënderbeun
Ali Sowe, autori i 6 golave në kampionat me fanellën e Skënderbeut, e mbylli vitin në mënyrën më të mirë të mundshme, me një dopietë në sfidën ndaj Teutës. Sulmuesi shprehet i kënaqur për rrjetat e realizuara dhe deklaron se do të vazhdojë punën për t’u përmirësuar akoma edhe më shumë. Sowe gjithashtu flet edhe për aventurën e tij në Kategorinë Superiore.
“Jam i lumtur sepse e prisja këtë moment. Doja një 3-golësh, por nuk e arrita dot . Do të punoj intensivisht për t’u përmirësuar. Erdha në Shqipëri për të dhënë më të mirën time dhe me vjen mirë që jam një ndër më të mirët, por kjo nuk do të thotë asgjë, sepse kam ende shumë punë për të bërë. Mua më pëlqen të punoj fort për të dhënë akoma edhe më shumë”, u shpreh sulmuesi i korçarëve.
Kampionati ende nuk përfunduar për Sowe, edhe pse Skënderbeu mban vendin e parë në renditje, klubi korçar ka ende një rrugë të gjatë përpara.
“Duket si diçka e thjeshtë, por në fakt çdo ndeshje për ne është shumë e rëndësishme. Fakti që jemi në krye të renditjes vlen shumë për ne”, u shpreh Ali Sowe.



