Atletico Madrid rinis përgatitjet, Bare mbetet nën urdhërat e “El Cholos”
Pas pauzës së shkurtër për festat e fundvitit, Atletico e Madridit është kthyer në stërvitje, sepse nuk ka kohë për të humbur. Ajo që ra në sy në seancën e zhvilluar ishte prezenca në skuadër mes 21 futbollistëve e kuqeziut Keidi Bare.Një sinjal ky që Diego Simeone vazhdon të besojë te talenti shqiptar, i cili stërvitet përkrah yjeve të “colchoneros” dhe aktivizohet me ekipin e dytë të Atleticos.
Megjithatë prezenca në stërvitje e kapitenit të Kombëtares Shpresa nuk mund të përkthehet përfundimisht që Bare do të vazhdojë të jetë pjesë e skuadrës edhe për gjysmën e mbetur të sezonit.Mesfushori kërkon të ketë hapësira për të luajtur dhe të afirmohet në futbollin e madh dhe asnjëherë nuk e ka fshehur dëshirën të transferohet në një tjetër skuadër, qoftë edhe në formë huazimi.
Me hapjen e merkatos, muaji Janar do të jetë vendimtar për të ardhmen e 20-vjeçarit, për të kuptuar edhe strategjinë e trajnerit Simeone, duke qenë se me përfundimit e dënimit në merkato, lëvizjet te Atletico Madrid do të jenë të konsiderueshme.Nga afrimet zyrtare në ekip të dy sulmuesve Vitolo dhe Diego Costa, për të vazhduar me largimin e sulmuesit Luciano Vietto drejt Sportingut, ndërsa mbetet për tu sqaruar e ardhmja e mesfushorit argjentinas, Gaitan.
Atletico e Madridit udhëtoi drejt Egjiptit, për miqësoren me Al Ahly mbrëmjen e kësaj të shtune, ndërsa prej 3 janarit ekipi do të zbresë zyrtarisht në fushë, në ndeshjen e Kupës së Mbretit ndaj Lleida-s.



