Përzgjidhen ‘Sportistët e vitit 2017’, nuk janë Ronaldo e Messi
Roger Federer për meshkuj dhe Serena Williams për femra, janë “Sportistët e vitit 2017”, duke bërë që tenisi të dominojë totalisht edhe këtë vit.
516 gazetarë nga 112 vende të botës, morën pjesë në votimin e organizuar nga Shoqata Ndërkombëtare e Gazetarëve Sportivë, për të shpallur sportistin më të mirë.
Roger Federer, i cili e fiton këtë çmim për herë të katërt në karrierë, grumbulloi 928 vota për t’u kthyer te fitorja e këtij çmimi pas një dekade. Zvicerani në vitin 2017 u shfaq në një formë të shkëlqyer, pasi fitoi 5 tituj të rëndësishëm, ku përmendim sukseset në turnetë Grand Slam të Australian Open dhe Wimbledon.
Dy yjet e futbollit botëror, portugezi Cristiano Ronaldo dhe argjentinasi Lionel Messi, plotësuan podiumin me përkatësisht 788 dhe 540 vota të grumbulluara.
Edhe për femra triumfoi një teniste, pikërisht Serena Williams. 2017 nuk do të harrohet lehtë, pasi ka përjetuar një sërë ngjarjesh emocionuese që kulmuan me lindjen e vajzës së saj.
Serena Williams është fituesja e turneut të Australian Open, duke e çuar në 23 numrin e turneve Grand Slam në karrierë, duke thyer rekordin që mbahej nga Steffi Graff. Serena mori 651 vota, e ndjekur në vendin e dytë nga notarja Hoshtu me 631, ndërsa në vendin e tretë gjendet atletja Allyson Felix me 495 vota.



