Statistikat e gjysmës së parë të kampionatit
Skënderbeu është ekipi me sulmin më të fortë, ndërsa Flamurtari ka mbrojtjen më të mirë të kampionatit. Këto janë statistikat e para që bien në sy në gjysmën e parë të Kategorisë Superiore. Me 31 gola të realizuar në 16 javë, mesatarisht 2 gola për ndeshje, korçarët kanë repartin ofensiv më efiçent, të ndjekur nga Kukësi, Laçi, Flamurtari dhe në mënyrë surprizë pesë vendet e para plotësohen nga Teuta.
Përsa i takon mbrojtjes, Flamurtari është skuadra më e fort, me vetëm 10 gola të pësuar. Vlonjatët ndiqen nga Skënderbeu, në kuotën 11 dhe me radhë nga Laçi, Kamza dhe Partizani.
Në 80 ndeshje të luajtura në total, nga 180 që ka i gjithë kampionati janë regjistruar 31 fitore të ekipeve vendase, 30 suksese nga skuadrat udhëtuese, ndërsa në 19 raste ekipet janë ndarë në barazime.
Edicioni aktual ka prodhuar më tepër gola se ai paraardhës, megjithatë më tepër se 56 për qind e ndeshjeve, 45 është shifra e saktë, kanë përfunduar me dy apo më pak gola të realizuar. Pjesa tjetër, pra 35 sfida kanë prodhuar të paktën tre gola.
Rezultati më i shpeshtë gjatë 16 javëve të para ka qenë fitorja 1-0, për një total prej 17 ndeshjesh, ose ndryshe në 21,25 për qind të rasteve. Në vendin e dytë është rezultati 2-1 i regjistruar në 16 përballje, me podiumin që plotësohet nga rezultati 2-0.
Ndeshja që ka prodhuar më tepër gola është ajo ndërmjet Kukësit dhe Teutës, më 16 Tetor, që përfundoi me rezultatin 4-2 në favor të kampionëve të Shqipërisë në fuqi. Ndërkohë, fitorja më e thellë e gjysmës së parë të sezonit u regjistrua nga Luftëtari, që në ndeshjen e parafundit të vitit kalendarik mposhti 5-0 Partizanin. Një sukses i bujshëm që premton gola dhe spektakël edhe për pjesën e mbetur të kampionatit.



