City kërkon të harrojë Liverpoolin, londinezet duan fitoren e parë të vitit
Pas 30 takimeve pa njohur disfatë dhe plot 281 ditëve pa humbje, City i Guardiolës më në fund u thye dhe për këtë merita kryesore natyrisht i takon strategut gjerman Jurgen Klopp, që me Liverpulin e tij tregoi më së miri se çfarë duhet bërë për të mundur “citizens”.
Gjithsesi “sky blues” kanë një rast të shkëlqyer për të hedhur pas krahëve zhgënjimin e javës së kaluar, pasi kalendari i ofron menjëherë një kundërshtar të lehtë si Newcastle United. Është e kuptueshme që “magpies” nuk i kanë mundësitë për të luajtur ndaj “qytetarëve” si “të kuqtë”, megjithëse për hir të së vërtetës të njëjtën gjë si Liverpuli bëri vitin e kaluar pak a shumë edhe trajneri i Tottenham-it Pochettino.
Gjithsesi, besnik i filozofisë së tij, Rafa Benitez vetëm 3 javë e gjysmë më parë e bllokoi mirë për pjesën më të madhe të kohës armatën e Guardiolës, ndonëse në fund trajneri spanjoll i bardhezinjve përsëri nuk arriti të shmangë dot humbjen minimale me rezultatin 1-0. Periudha e errët e fundit të vitit duket se ka kaluar, fazë ku Newcastle United mezi bëri bashkë 5 pikë në 12 ndeshje, ndërsa tani ekipi i 57-vjecarit madrilen paraqitet pa humbje në tre javët e fundit.
Rafa Benitez madje ka marrë garanci edhe nga bosi i klubit Mike Ashley, se për momentin “magpies” nuk do të ndryshojnë pronësi, sidoqoftë në krahun tjetër Manchester City-i i nevojiten patjetër 3 pikët, pavarësisht se sërish skuadrës do t’i mungojnë futbollistë të tillë si Gabriel Jesus, Kompany, Mendy, Delph apo Foden.
Ndonëse në mesjavë në Ashton Gate, City do të duhet të mbrojë fitoren e përvuajtur 2-1 ndaj Bristol City-t, në gjysmëfinalen e kthimit të Kupës së Ligës, duke i njohur karakterin dhe grintën, trajneri katalanas nuk do ta kursejë aspak ekipin, pasi citizens deri më sot kanë fituar 62 pikë nga 69 të mundshmet, madje duke realizuar plot 67 gola në vetëm 23 takime.
Ndeshja do të luhet në Etihad në orën 18:30 dhe skuadrës pritet t’i rikthehet mesfushori David Silva, ndërkaq ky duel ngjan me një mision të pamundur për miqtë që nuk e fitojnë këtë sfidë që nga viti 2000 larg Stadiumit St’James’s Park, madje Neëcastle nuk njeh fare fitore në Premier League, në 20 përballjet e fundit ndërmjet tyre.



