Sportistë e trajnerë në protestë: FSHP nuk është pronë private, duam zgjedhje të parakohshme
Dorëheqja e Elez Gjozës nga posti i presidentit pas skandalit të radhës me dopingun, nuk i ka dhënë zgjidhje problemeve të peshëngritjes shqiptare. Përkundrazi, emërimi i përkohshëm në këtë post i Gudar Beqirajt, ka nxitur protestën e komunitetit të shtangës.
Nga ish-trajneri i famshëm Hektor Shaqiri, te Endri Haxhihyseni, të gjithë kërkojnë zgjedhje të parakohshme për ta kthyer sportin e peshëngritjes në vendin ku i takon.
“Është mbledhur peshëngritja për një ngjarje që na vjen turp neve që gjithë jetën merremi me këtë sport elitar. Duam me çdo kusht të zbatohet statusi që ka ministria, e para fare nevojiten zgjedhjet që peshëngritja të kthehet aty ku i takon”, u shpreh Hektor Shaqiri.
“Federata e Peshëngritjes nuk është pronë private që largohet Elez Gjoza dhe ia lë Gudar Beqirajt. Nëse kishte një kryesi që e ka zgjedhur këtë president të përkohshëm, duhej të kishin lajmëruar Ministrinë, KOKSH-in dhe sportistët, nëse ishin dakord me këtë vendim”, tha Endri Haxhihyseni.
Të njëjtin qëndrim kanë edhe sportistët, mes të cilëve edhe kampioni Daniel Godelli, të cilët iu bashkuan thirrjes së komunitetit të peshëngritjes për ta kthyer federatën në duart e njerëzve të sportit.
“Ka ardhur koha që sportistët dhe trajnerët të vendosin vetë se kush do ta drejtojë federatën dhe jo ata njerëz që nuk janë të sportit dhe nuk e duan sportin. Këtu janë trajnerët dhe sportistët më të mirë të Shqipërisë. Ka ardhur koha që ne të vendosim vetë për të drejtat tona. Duam zgjedhje të parakohshme”, deklaroi Daniel Godelli.
“Ne jemi ata që derdhim mundin dhe djersën për të arritur rezultate. Ne duhet të vendosim për të ardhmen tonë dhe duhet të marrin menjëherë fund këto skandale”, u shpreh Kristi Ramadani.



