Krahasimi me sezonin e kaluar: Skënderbeu pa rivalë, Flamurtari super, Kukësi e Partizani në rënie
Java e 18-të, që mbylli fazën e dytë, shënoi edhe kalimin e gjysmës së edicionit në Kategorinë Superiore. Bazuar në renditjen deri në këtë pjesë të kampionatit, nuk është e vështirë të kuptosh se çfarë ka ndryshuar krahasuar me një vit më parë.Ky sezon është dominuar nga Skënderbeu, që me 40 pikë kryeson me distancë sigurie nga rivalët për titull. Korçarët janë paraqitur shumë më mirë se një vit më parë, kur deri në mbylljen e dy fazave të para kishin grumbulluar 8 pikë më pak sesa kanë aktualisht.
Përsa i takon pretendenteve të tjera, bie në sy rritja e jashtëzakonshme e Flamurtarit. Momentalisht vlonjatët janë të dytët në renditje me 32 pikë të grumbulluara, ndërsa një vit më parë kuqezinjtë ndodheshin në zonën e rënies nga kategoria me vetëm 11 pikë, edhe prej dënimit me zbritjen e 6 pikëve prej borxheve të prapambetura.Më dobët janë paraqitur Kukësi dhe Partizani. Veri-lindorët që në fund u shpallën kampionë kryesonin në gjysmën e kampionatit me 36 pikë, ndërsa tashmë janë të tretët në kuotën 29. Edhe më keq situata e Partizanit, që nga vendi i dytë me 35 pikë i edicionit të kaluar aktualisht janë në vendin e pestë me 27 pikë.
Laçi ka siguruar dyfishin e pikëve të sezonit të mëparshëm, ndërsa Luftëtari dhe Teuta edhe pse kanë grumbulluar një pikë më tepër ndodhen më poshtë në renditje. Në anën tjetër, Kamza është një surprizë që ka bërë më mirë se debutueset e kampionatit të kaluar, ndërsa në rënie është Vllaznia. Vetëm 15 pikë për shkodranët në këtë edicion, 6 më pak se në të njëjtën periudhë të një viti më parë, me rrezikun e rënies nga kategoria që është shqetësues.Lushnja ka bërë edhe më dobët se Korabi që preu biletën e parë drejt Kategorisë së Parë, megjithatë skuadra e drejtuar nga Hysen Dedja ka treguar se nuk do të dorëzohet lehtë, duke regjistruar një fitore dhe dy barazime në pesë javët e fundit.
Ashtu si në edicionin e kaluar lufta për mbijetesë do të mbetet e hapur deri në fund, sepse nëse krahasohen statistikat ajo mund të përfshijë deri në shtatë skuadra deri në mbylljen e kampionatit.
SUPERIORE 2016-’17 SUPERIORE 2017-’18
SKUADRA PIKË SKUADRA PIKË
- KUKËSI 36 1. SKËNDERBEU 40
- PARTIZANI 35 2. FLAMURTARI 32
- SKËNDERBEU 32 3. KUKËSI 29
- TIRANA 27 4. LAÇI 28
- LUFTËTARI 22 5. PARTIZANI 27
- VLLAZNIA 21 6. KAMZA 26
- TEUTA 16 7. LUFTËTARI 23
- LAÇI 14 8. TEUTA 17
- FLAMURTARI*11 9. VLLAZNIA 15
- KORABI 11 10. LUSHNJA 10
* (Penalizim -6 pikë)



