Kategoria Superiore

Nga Laçi te Laçi, Starova mbyll një fazë

Në fundjavë Partizani do të përballet me Laçin, duke na kujtuar se pikërisht ndaj kurbinasve, nisi edhe aventura më e fundit e Sulejman Starovës në stolin e të kuqve, fiks 9 ndeshje, apo 1 fazë më parë.

Pas nisjes katastrofike me Iulianon, drejtuesit ndryshuan kurs, duke i dhënë drejtimin në fillimin e fazës së dytë njeriut të shtëpisë, që skuadrën e njihte ndoshta më mirë se xhepat e tij.

Nuk ishte një debutim i lumtur, pasi pak ditë nuk ishin të mjaftueshme që efekti Starova të ndihej dhe Laçi fitoi 1-0, por menjëherë më pas, erdhi edhe reagimi, me një fitore 2-1 me përmbysje, në shtëpinë e Kukësit, që ato kohë konsiderohej një kala e pamundur për t’u pushtuar. Më pas erdhi barazimi me skuadrën më të fortë, Skënderbeun dhe një sërë fitoresh, pavarësisht problematikave që mbeteshin prezente dhe organikës së cunguar.

Në analizën e një faze, ajo e dyta, nën drejtimin e Starovës ka qenë patjetër e suksesshme për Partizanin dhe po të mos ishte ajo rrëshqitje që ende djeg, në Gjirokastër, do të flitej për një fazë në kufijtë e perfeksionit.

Falë ndryshimit të kursit dhe rezultateve me teknikun 62-vjeçar, Partizani, edhe pas dështimit të një projekti të tërë në verë dhe organikës së cunguar para merkatos së janarit, mbetet në luftë të plotë e Europën, madje aq sa duket e çuditshme kur shikon se në klasifikim është vetëm 2 pikë pas Kukësit të vendit të 3-të, kur mbetet për t’u luajtur edhe fiks gjysma e kampionatit, faza ku kurës Starova i vijnë në ndihmë edhe përforcimet e janarit.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency