Futboll

Skënderbeu rrezikon 10 vite përjashtim nga kompeticionet europiane!

Për momentin nuk ka asgjë zyrtare dhe bëhet fjalë vetëm për një kërkesë. Skënderbeu nuk është përjashtuar nga kompeticionet europiane për 10 vitet e ardhshme dhe nuk është dënuar me 1 milionë euro gjobë, pasi UEFA ende nuk ka dalë me një vendim të plotë për klubin korçar.

Është e vërtetë që Skënderbeu rrezikon një dënim të rëndë pasi akuzohet se është përfshirë në paracaktimin e rezultateve të ndeshjeve gjatë pjesëmarrjes në grupet e Europa League në vitin 2015-të. Luhatja e madhe e koefiçienteve të ndeshjeve të skuadrës korçare në kompanitë e basteve gjatë atij edicioni kanë ngritur dyshime të forta, aq sa UEFA nisi një hetim ndaj Skënderbeut, duke e pezulluar edhe me mospjesëmarrje në kompeticionet europiane gjatë sezonit të kaluar, por ajo ishte vetëm një masë paraprake pasi vendimi i plotë nuk ka dalë ende.

Pasi shqyrtuan dosjen Skënderbeu, inspektorët e komisionit të Disiplinës në UEFA i kanë kërkuar komisionit të Apelit të këtij institucioni të marrë një vendim drastik ndaj Skënderbeut duke e dënuar me 10 vite mospjesëmarrje në kompeticionet europiane dhe 1 milionë euro gjobë.

Tashmë topi kalon në duart e komisionit të Apelit të UEFA-s i cili do të marrë vendimin final mbi dosjen Skënderbeu. Megjithatë e sigurt që Skënderbeu rrezikon shumë dhe mund të bëhet shembull nga UEFA, duke njollosur kështu emrin e futbollit shqiptar në arenën ndërkombëtare.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency