Jeton Beqiri: Vlerësim maksimal për Lushnjën, duam 3 pikët
Flamurtari duhet të vlerësojë në maksimum Lushnjën pavarësisht pozicionit në të cilën gjendet skuadra myzeqare. Kushtrimin e lëshon ndihmës-trajneri i kuqezinjve, Jeton Beqiri në konferencën për shtyp përpara duelit të javës së 20. Numri 2 i stolit të vlonjatëve gjithashtu bën edhe skanerin e gjendjes së futbollistëve në prag të kësaj sfide.
Jemi brenda objektivave pas kualifikimit në kupë. Nuk është e lehtë ndaj lushnjes pavarësisht vendit në renditje. E vlerësojmë në makismum kundërshtarin dhe ekipi do të zbresë me synimin për të fituar. Muarem ka marë një goditje në stërvitjen e fundit dhe do të lihet pushim. Juffo është rikuperuar dhe shumë shpejt do të jetë i gatshëm.
Një temë e nxehtë ditët e fundit është një dënim i mundshëm i Skënderbeut nga UEFA, një vendim i cili mund të hapë skenarë të rinj për renditjen përfundimtare të kampionatit. Megjithatë Beqiri ndalet tek futbolli i luajtur duke kërkuar përkushtim ndaj çdo kundërshtari.
Nuk jemi të fokusuar tek dënimet e të tjerëve, por vetëm tek ndeshjet tona. Kampionati është i balancuar, çdo pikë është e rëndësishme dhe ne duhet të respektojmë çdo kundërshtar.
Afrimet e janarit ende nuk kanë treguar atë që pritej, ndërkohë që një tjetër temë e nxehtë është edhe kalendari i ngjeshur në këtë rifillim të sezonit. Ndaj Lushnjës me shumë mundësi do të ketë rrotacion në skuadër, për t’i dhënë hapësirë futbollistëve me më pak minuta.
Të gjithë lojtarët janë me kualitet, do të ketë risi në formacion,por nuk quhet rrotacion pasi çdo lojtar është i vlefshëm për ekipin. Kemi pasur një kalendar të ngjeshur dhe nuk e donim diçka të tillë, patëm gjithashtu ndeshje në fusha të rënduara dhe kjo erdhi direkt pas fazës përgatitore. Me afrimet jemi të pafat, pasi janë dëmtuar dhe nuk kanë treguar vlerat maksimale. Por ne jemi të fortë sepse kemi lojtarë të mirë. Ka shumë ndeshje dhe do të tregojnë të gjithë vlerat e tyre.



