Kukësi “thyen” tabunë Partizani, frymëmarrje për Vllazninë, fundoset Teuta
Në tentativën e 10-të Kukësi thyen tabunë Partizani. Verilindorët triumfuan 3-1 me përmbysje ndaj të kuqëve në Selman Stërmasi duke regjistruar fitoren e parë ndaj Partizanit që nga i rikthimi i 15-herë kampionëve në Kategorinë Superiore. Kryeqytetasit bënë vetëvrasje duke hedhur në erë një ndeshje në të cilën kryesonin 1-0 dhe po luanin shumë mirë deri në momentin që mesfushori serb Culum u ndëshkua me të verdhin e dytë duke lënë Partizanin me një lojtar më pak që nga minuta e 65-të. Në një sfidë ku të kuqtë kishin mungesa të shumta pasi mungonin për shkak skualifikimi kapiteni Batha por edhe Trashi e Progni, Partizani gjithsesi e gjeti forcën për të zhvilluar një pjesë të parë shumë të mirë, të cilën e mbylli me avantazhin 1-0 falë finalizimit të mbrojtësit boshnjak Renato Gojkoviç në minutën e 43-të. Në fraksionin e dytë Partizani hyri në fushë me idenë për të administruar avantazhin dhe për t’i ndëshkuar kampionët e Shqipërisë me anë të kundërsulmit por verilindorët luajtën me nervat e të kuqëve dhe dalja me karton të kuq e Culum ia vështirësoi gjërat skuadrës së zëvendëstrajnerit Klevis Dalipi, me Kukësin e Pacult që shënoi 3 herë në portën e Hoxhës. Në të 66-tën Guri goditi saktë me kokë pas krosimit të Bakajt nga këndi duke barazuar shifrat. 4 minuta më pas Rustem Hoxha i vodhi kohën Atandës të sapofutur në fushë dhe me një tjetër goditje të saktë me kokë përmbysi shifrat. Në të 79-ën Partizanit iu anullua një gol për pozicion jashtë loje të Bardhit që solli protesta të shumta nga ana e të kuqëve por pamjet filmike treguan që vendimi i anësorit ishte i drejtë. Në minutën e 93-të në momentin e zëvendësimit me Balde, u ndëshkua me karton të kuq nga gjyqtari Meta pasi ofendoi tifozët e Partizanit duke u treguar gishtin e mesit. Ndërkohë në minutën e fundit shtesë, Sidrit Guri njeriu i momentit te Kukësit vulosi fitoren e kampionëve në fuqi të Superiores me një kundërsulm vrasës. Në Selman Stërmasi përfundoi 1-3 për Kukësi që falë këtij suksesi u ngjit në vendin e 3-të në kuotën e 32 pikëve.
Frymarrje për Vllazninë e Ernest Gjokës që mposhti 2-0 Teutën në një finale të parakohshme për mbijetesën duke fundosur kështu skuadrën e Begejës me këtë të fundi që e nisi me humbje edhe në kampionat aventurën e tij te “djemtë e detit”. Golat e Çinarit dhe Malotës në pjesën e parë i mjaftuan Vllaznisë për të marrë 3 pikë me shumë vlera në garën për mbijetesë pasi tashmë skuadra shkodrane është e shkëputur me 4 pikë nga Teuta që renditet e parafundit.



