E eliminoi nga Kupa e Mbretit, Reali do “hakmarrjen” ndaj Leganes
Nuk ka pushim për Realin e Madridit, që duhet të zbresë në fushë këtë të mërkurë në orën 18:45, në fushën e Leganes, për të rikuperuar ndeshjen e javës së 16-të, që u shty për shkak të pjesëmarrjes së skuadrës mbretërore në botërorin e klubeve.
Të zotët e shtëpisë renditen të 13-tët në klasifikimin e përgjithshëm dhe nuk po kalojnë një periudhë pozitive, pasi kanë grumbulluar vetëm 1 pikë në tre takimet e fundit. Leganes ka sulmin e tretë më të dobët në La Liga, që është edhe pika më e dobët e kësaj skuadre.
Nga ana tjetër Reali, me 45 pikë në klasifikim, mund të ngushtojë në 14 pikë diferencën me Barcelonën, që gjithsesi duket praktikisht e paarritshme në garën për titull.
Interesant është fakti që ishte pikërisht Leganes skuadra që eliminoi Realin e Madridit nga Kupa e Mbretit, duke i shkaktuar një traumë ekipit të Zidane, që gjithsesi po kalon një moment shumë pozitiv si në kampionat, ku vjen pas dy fitoreve me goleadë ndaj Betisit dhe Sociedadit, ndërsa në Champions mori një fitore të rëndësishme 3-1 me PSG në takimin e parë të luajtur në “Bernabeu”.



