Kategoria Superiore

Bashkia e Shkodrës: Goditja e Gjokës, akt i qëllimtë. Të shtyhet ndeshja me Luftëtarin

Menjëherë pas raportimit të një tentative për të sulmuar me thikë trajnerin e Vllaznisë, Ernest Gjoka, ka ardhur edhe reagimi i Bashkisë së Shkodrës. Në një deklaratë për shtyp, Bashkia dënon ashpër ngjarjen dhe bën thirrje për zbardhjen sqa më parë të saj dhe dënimin e autorëve.

Ja deklarata e plotë e Bashkisë:

Bashkia e Shkodrës dhe KF Vllaznia janë njohur me ngjarjen e rëndë të ndodhur pasditen e sotme në Fushën e Lëkurave, ku pas stërvitjes është goditur dhe kërcënuar me jetë trajneri i ekipit të parë Ernest Gjoka.

Menjëherë, trajneri Gjoka, drejtuesit e Bashkisë dhe të Klubit, kanë komunikuar me Policinë e Shtetit, duke i vënë në dijeni për ngjarjen, si dhe duke u kërkuar zbardhjen e plotë të saj dhe arrestimin e agresorit.

Ky akt i turpshëm, i cili nuk ka lidhje me qytetarinë e spikatur shkodrane, dënohet me vendosmërinë më të madhe nga ana e Bashkisë, Klubit, stafit drejtues- teknik dhe futbollistëve. Nuk përjashtojmë mundësinë e një prapavije të qëllimtë, ndoshta edhe të sponsorizuar, por që mbetet në duart e organeve kompetente që të zbardhet plotësisht.

Aktin e goditjes dhe të kërcënimit me jetë me armë të ftohtë-thikë, të trajnerit Gjoka, futbollistët, stafi teknik dhe drejtues i KF Vllaznia, Bashkia e Shkodrës dhe tifozët e shumtë, e konsiderojnë si goditje të qëllimshme, të mirë-menduar të dikujt/disave, që duan të dëmtojnë Vllazninë në momentin e saj ndoshta më të mirë.

Në këto kushte, Klubi dhe Bashkia e Shkodrës do t’i kërkojnë FSHF-së shtyrjen e takimit me Luftëtarin në Gjirokastër, në një datë tjetër.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency