Cana shkelmon topin e parë në Gjakovë, Magani me pikë të plota
Klasikja e futbollit kosovar, mes Vëllazënimit dhe Prishtinës u zhvillua nën një atmosferë spektakolare. Në qytetin e Gjakovës kishte shkuar edhe ish kapiteni i Kombëtares Shqiptare, Lorik Cana, që shkelmoi edhe topin nga qendra e fushës, për t’i hapur rrugë vijimit të sfidës.

Prishtina e Josës nuk shkoi më shumë se një barazim pa gola në këtë transfertë, ndonëse u mundua të gjente 3 pikët, për të qenë të sigurt në krye të renditjes, por nuk ia arriti.
Nga ana tjetër, për gjakovarët ky ishte një barazim mjaft i vlefshëm, pasi kanë nevojë për pikë, që t’i largohen zonës së rënies.
Gugash Magani ka regjistruar fitoren e dytë në po kaq ndeshje në krye të Trepçës, në Superligën kosovare. Në transfertën pejane ndaj Besës, Trepça gjeti golin që në pjesën e parë dhe mbrojti me fanatizëm 3-pikëshin e fituar në fushë, duke u ngjitur përkohësisht në vendin e 4-t të renditjes.
Fitore minimale 1-0 mori edhe Feronikeli ndaj Flamurtarit, në një takim që u vendos edhe ky që në 45-minutëshin e parë.



