Daja: Kaluam javë të vështirë, senatorët janë çelësi i suksesit tonë
Skënderbeu e kaloi javën mes shumë problemeve, si gjendja gripale që preku skuadrën, por edhe ato të jashtme, pezullimi që UEFA kërkon të aplikojë. Gjithsesi korçarët arritën të marrin një tjetër 3-pikësh dhe tani titulli është më pranë për ta, që kanë plot 13 pikë distancë me ndjekësin më të afërt.
“E prisnim që do të ishte e vështirë, pasi na preku gripi shumicën e lojtarëve dhe nuk na la të përgatisim ndeshjen siç duhet. Lila mungoi, Muzaka dhe Radasi nuk ishin në maksimum dhe për këto arsye mendoj se situate ishte shumë e disfavorshme në aspektin shëndetësor. Gjithsesi, sot patëm edhe pak fatin me vete dhe morëm një tjetër 3-pikësh, të vlefshëm. Besoj se jemi në rrugën e duhur për t’u shpallur kampionë, por ka ende edhe shumë javë dhe duhet të bëjmë maksimumin, deri sa ta sigurojmë titullin matematikisht”, u shpreh Daja.
Mesfusha nuk është shfaqur në lartësinë e duhur dhe veçanërisht Nimaga ka kohë që nuk po shfaqet në nivelet e tij më të mira, duke treguar probleme përshtatjeje.
“Nimaga nuk ka punuar mirë, pasi ka pasur probleme familjare dhe e dinim se nuk ishte në maksimumin e tij, por e aktivizuam sepse nuk kishim shumë alternative. Edhe Muzaka e Osmani nuk kanë qenë në gjendje të mirë gjatë javës, për shkak të gripit, por në tërësi mund të them se jam i kënaqur për mënyrën se si e menaxhuam lojën”, deklaroi Daja.
Trajneri i SKënderbeut tregoi se skuadra po e menaxhon mjaft mirë situatën e krijuar, ndërsa shkarkoi nga përgjegjësia edhe sulmuesin Sowe, për mungesën e golave.
“E mendoja më të vështirë situatën, por neve si staf kemi pasur edhe mbështetjen e pjesës më me eksperiencë të ekipit, që na kanë ndihmuar të gjithëve, që të vijojmë të punojmë shumë të motivuar. Arma e fortë e kësaj skuadre është pikërisht suporti i lojtarëve me eksperiencë. Sowe nuk po shënon, pasi po vuan mungesën e mbështetjes nga shokët e repartit. Të dy anësorët tanë nuk shkuan shumë në fundore, që t’i shërbenin qendërsulmuesit tonë. Pra, problemi është më tepër i skuadrës në tërësi, sesa i sulmuesit.



