Atletico do fitoren ndaj Leganes, për të besuar te mrekullia titull
Atletico e Madridit beson! Beson te misioni i pamundur për të fituar La Ligan. Los Colchoneros drejtohen nga një trajner që nuk dorëzohet kurrë dhe një si Simeone në pankinë, Diego Costa me shokë do të tentojnë deri në fund për të lënë pas Barcelonën në renditje. Për momentin 7 pikë është diferenca mes tyre por kur mbeten edhe 13 javë për t’u luajtur dhe 39 pikë në lojë, gjithçka është e mundur. Në Wanda Metropolitano mbrëmjen e sotme në orën 21:30, Atletico luan ndeshjen e rradhës ndaj Leganes me një objektiv të vetëm fitoren për ta çuar përkohësisht në 4 pikë diferencën me Barcelonën që luan të enjten, por edhe për të mos humbur terren ndaj blaugranave duke patur parasysh që të dielën luhet përballja direkte e fazës së dytë mes tyre. Në derbin e vogël të Madridit, Atletico do të kërkojë të mbështetet te forma e mirë e dyshes, Griezmann-Costa për të marrë tre pikët e rradhës që do ta afronin më shumë me Barcelonën. Takimin Atletico Madrid-Leganes do të keni mundësi ta ndiqni në Supersport 4 në orën 21:30. Në ekranin tonë nuk do të mungojë sa dueli shumë interesant mes Athletic Bilbaos dhe Valencias. Baskët në fakt i kanë larë duart me kampionatin dhe të gjithë sytë i kanë të Europa League, ndërkohë që Los Che do të kërkojnë fitoren e 4-t radhazi për të hedhur një tjetër hap të sigurtë drejt kualifikimit në Champions League dhe për të parakaluar Realin e Madridit në renditje. Athletic Bilbao-Valencia do ta ndiqni po në Supersport 4 por 2 orë më herët në 19:30.



