Lajme

Botërori 2018, në Rusi sistem Var edhe për mjekët

Sistemi Var nuk do të jetë vetëm në dispozicion të arbitrave. Duke nisur prej Botërorit 2018 në Rusi, ai do të përhapet edhe për mjekët. Zyrtarizimi i vendimit pritet të bëhet më 3 mars, ndërsa të gjitha përfaqësueset pjesëmarrëse do të kenë një doktor që do ta ndjekë garën në monitor dhe do të ketë mundësi që të rishohë duelet e lojës, për të vlerësuar në kohë rekord shkallën e dëmtimit.

Konfirmimi u dha nga presidenti i komisionit mjekësor të FIFA-s, Michel D’Hooghe, sipas të cilit mundësia për të bërë një diagnozë të menjëhershme mund të jetë shumë e vlefshme, mbi të gjitha në rastet e përplasjeve në kokë.

Prezantimi i risisë në futboll është bërë gjatë Workshop-it që FIFA po zhvillon në Sochi, në të cilin kanë marrë pjesë përfaqësues të të gjitha skuadrave të kualifikuara në fazën finale të Kupës së Botës. Vëzhgimi me detaje i përplasjeve nëpërmjet imazheve filmike mund t’i ndihmojë mjekët nëse një futbollist mund të qëndrojë apo jo në fushë.

Sistemi i ri do të quhet “Video Assistant Replay Medical” dhe do të frymëzohet nga modeli i ragbi-t, sport në të cilin u përdor pas shumëfishimit të tronditjeve të sportistëve në kokë, shpejtësisë së aksioneve dhe intensitetit të përplasjeve. Përdorimi i imazheve video i erdhi në ndihmë jo vetëm arbitrave, por edhe stafit mjekësor të skuadrave.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency