La Liga

Barcelona në Ishujt Kanarie, për të shkuar +7 ndaj Atleticos, tjetër shans për Sadikun

Vetëm 24 orë më pas pas atij pokeri golash të francezit Antoine Griezmann ndaj Leganes, Barcelona do të kërkojë t’i kundërpërgjigjet Atleticos së Madridit që tashmë i kërcnon blaugranat e Valverdes nga pas pasi diferenca është ngushtuar në -4. Të dielën luhet përballja direkte mes tyre që mund të vendosë edhe fatet e titullit kampion në La Liga pasi një fitore e Barcelonës do të vriste shpresat dhe shanset e Los Colchoneros në garën për vendin e parë në Primera. Sot në mbrëmje Barcelona do të sfidojë në Ishujt Kanarie, Las Palmasin vendas që është një nga skuadrat më të dobëta të këtij sezoni në La Liga. Parashikohet një fitore e thjeshtë për katalanët të cilët përveç se duhet të bëjnë detyrën duke marrë tre pikët për ta çuar sërish në +7 avantazhin ndaj Atleticos, duhet edhe të ruajnë forcat për sfidën e të dielës ndaj skuadrës së Simeones. Mbetet për t’u parë nëse Valverde do të lërë në stol ndonjë nga titullarët. 30 minuta pas fillimit të sfidës mes Las Palmas dhe Barcelonës në Supersport do të keni mundësi të ndiqni edhe takimin Alaves-Levante. Ish skuadra e Giani De Biasit me Abelardon në stol po shkëlqen dhe me një fitore sot do ta garantonte pothuajse mbijetesën pasi do të shkonte në +11 nga Levante e vendit të 17-të. Pasi debutoi duke luajtur që nga fillimi në sfidën ndaj Betis, mbetet për t’u parë nëse edhe këtë herë trajneri i Levantes Muniz do të aktivizojë si titullar sulmuesin e kombëtares shqiptare Armando Sadiku.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency