Euroleague, shkëlqen CSKA, eliminohet Barcelona
Edhe pse kualifikimin në çerekfinale e ka siguruar, CSKA e Moskës nuk toleron aspak në Euroleaguen e basketbollit pasi kërkon të blindojë edhe vendin e parë. Në raundin e 24-t të ndeshjeve në fazën e 16-të më të mirave, skuadra ruse mposhti lehtësisht Maccabin e Tel Avivit brenda në Izrael. 20 pikë diferencë në fund të një sfide që konfirmoi CSKA-në si skuadrën më të mirë të këtij sezoni. 73-93 në favor të miqëve ishin shifrat e takimit me francezin Nando De Colo i cili rezultoi basketbollisti më i mirë mbi parket për skuadrën ruse me 19 pikë, 4 asiste dhe 2 rebound. Shuhen edhe ato pak shpresa të Barcelonës për të avancuar në çerekfinalet e këtij edicioni. Skuadra blaugrana pësoi humbjen e 5-t radhazi pasi u mposht në Lituani nga Zalgiris Kaunas me rezultatin e thellë 90-74. Francezi Toupane me 20 pikë ishte heroi i Zalgiris në këtë ndeshje, me skuadrën lituaneze që hodhi një tjetër hap të sigurt drejt kualifikimit në fazën tjetër. U rikthyen te fitorja në Euroleague, baskët e Baskonias të cilët mposhtën në shtëpi rusët e Khimkit me shifrat 87-77. Të pamjaftueshme 23 pikët e rusit Shved për miqtë dhe 21 të tjera të realizuara nga amerikani Gill. Buzëqeshi edhe Olimpia e Milanos që pas 2 humbjesh rresht mori fitoren e 8-të në këtë edicion pasi kaloi në shtëpi turqit e Anadolu Efes me rezultatin 77-64, ndërkohë që Valencia nuk e pati të vështirë të mposhte gjermanët e Bamberg me shifrat 86-70.



