Laçi i qetë drejt Korçës në fundjavë
Fitorja ndaj Vllaznisë riktheu entuziazmin tek Laçi, pasi ishte suksesi i parë në kampionat për vitin 2018. Kurbinasit kanë treguar në fushë jo lojën e tyre tipike, duke lejuar kundërshtarin që ta dominojë por në fund kanë rezultuar cinikë pasi i janë kënaqur pikëve të plota. Ky sukses erdhi pas një ecurie prej 5 ndeshjesh pa fitore, me vetëm 3 pikë të grumbulluara, një ecuri që kishte vendosur nën presion ambientin bardhezi. Megjithatë fitorja e mesjavës sjell entuazmin që i duhet ekipit të Gentjan Mezanit në prag të një sfide të vështirë, atë ndaj Skënderbeut ditën e dielë. Grupi në dispozicion të trajnerit vlonjat është i plotë, pasi në skuadër rikthehet braziliani Eskuerda pas kartonit të kuq të marë në Zeqir Ymeri ndaj Kukësit. Mungesa e vetme ndaj kryesuesve është Regi Lushkja që ndaj Vllaznisë plotësoi numrin 4 të kartonave të verdhë. Kurbinasit i shkaktuan humbjen e parë në kampionat korçarëve, madje në momentin e tyre më të mirë në aspektin psikologjik, ndërkohë që në shtëpinë e tyre objektivi është që të dalin me pikë. Uzuni me golin e tij dha sinjalet e rikthimit të sulmit edhe pse priten golat e Reginaldos i cili është stopuar në kuotën e 8 realizimeve.



