Fitore në ‘frymën e fundit’, Juve me ‘notën 10’
Supersfida e parë e fundjavës në Serinë A, ajo mes Lazios dhe Juventusit në ‘Olimpico’, pa të triumfonin bardhezinjtë, që morën një 3-pikësh me mjaft vlera, në një transfertë delikate.
Vendimtar ishte goli i shënuar nga sulmuesi argjentinas, Paulo Dybala, në sekondat e fundit të sfidës, që i dha Juventusit fitoren e 10 radhazi në kampionat.
Sfida ishte shumë e luftuar, por prodhoi vërtetë shumë pak raste në portat respektive, teksa u evidentua qartë edhe lodhja e mesjavës në Kupën e Italisë, veçanërisht te Lazio, që në 45-minutëshin e dytë sulmoi shumë pak.
Vetëm pak sekonda nga vërshëllima e 3-fishtë e gjyqtarit, Paulo Dybala mori një top në hyrje të zonës dhe pasi kaloi Luis Alberton me lehtësi, dërgoi topin në trekëndëshin e portës, duke I dhënë 3 pikët bardhezinjve.
Nga ana tjetër, sfida solli shumë pasoja te skuadra e Allegrit, pasi Benatia dhe Douglas Costa shfaqën probleme, ndonëse arritën të mbyllin sfidën. Nga ana tjetër, Lichschteiner dhe Alex Sandro u ndëshkuan me kartonë të verdhë dhe humbën sfidën e javës së ardhshme, me Udinesen.
Spektakli në Serinë A do të vijojë në orën 20:45, me sfidën Napoli-Roma, ku skuadra e Sarrit do të kërkojë t’I kundërpërgjigjet bardhezinjve, ndërsa gjithçka do të kulmojë të dielën në mbrëmje, me derbin e Madonninës, mes Milanit dhe Interit.



