Kategoria Superiore

Kukësi blindon vendin e 2-të, Laçi zhyt në krizë Flamurtarin, paqe në Kamza-Vllaznia

Kukësi ‘fluturon’ me dyshen Guri-Shkodra. Largimi i golashënuesit më të mirë të kampionatit për në Bjellorusi nuk po ndihet aspak të verilindorët të cilët mposhtën 3-2 Teutën në Zeqir Ymeri duke blinduar vendin e 2-të në renditje tashmë në kuotën e 42 pikëve. Ishte një sfidë që nisi në malore për Kukësin ajo ndaj “djemve të detit” por golit të Bilalit në të 16-tën iu përgjigjën njeriu i momentit te skuadra Peter Pacult, Sindrit Guri me një dygolësh dhe Donjet Shkodra i cili tashmë luan në pozicionin e Elis Bakajt dhe ndaj Teutës realizoi një supergol me një goditje të bukur nga distanca që përmbysi shifrat.

Në mes qëndrojnë golat e shtatlartit, Guri i cili në fundin e pjesës së parë barazoi shifrat ndërsa në të 66-ën i shërbyer nga braziliani Cale shënoi edhe golin e dytë personal, duke mposhtur për herë të 3-të Shpëtim Moçkën në këtë sfidë. Goli i Çyrbjas në të 80-ën u duk sikur riktheu Teutën në ndeshje por vetëm kaq për durrsakët të cilët u rikthyen te humbja pas 1 fitoreje dhe 2 barazimeve në 3 javët e fundit.

Fitore mes drithërimash për Laçin e Gentjan Mezanit që deri në minutën e 73-t kryesonte 3-0 ndaj Flamurtarit, por vlonjatët u zgjuan në çerek-orëshin e fundit duke realizuar 2 gola që gjithsesi ishin të pamjaftueshëm për të marrë pikë.

Kurbinasit triumfuan 4-2 dhe u rikthyen te suksesi në kampionat duke zhytur në krizë, formacionin e Shpëtim Duros me Flamurtarin që pësoi humbjen e 3-të radhazi në kampionat dhe tashmë e sheh veten në kuotë të barabartë pikësh 36, me Laçin.

Heroi i sfidës për bardhezinjtë ishte pa diskutim sulmuesi nga Mozambiku, Reginaldo, i cili realizoi një 3-golësh në këtë sfidë, ndërkohë që Siljanovksi dhe Musta ja bënë më pak të dhimbshme këtë humbje Flamurtarit me golat e tyre. Ndërkohë që Uzuni me finalizimin e tij në të 88-ën vulosi suksesin e Laçit.

Barazim pa gola në sfidën tjetër të orës 14:00 mes Kamzës dhe Vllaznisë. Një barazim që lë të kënaqura të dyja skuadrat, me Vllazninë që mori një pikë të rëndësishme në garën për mbijetesë, ndërsa Kamza mbajti në distancë sigurie një rival të drejtpërdrejtë. Në minutat e para vendasit ishin të pafat pasi sulmuesi serb Stevan Raçiç u ndal nga shtylla, megjithatë kjo pikë i shërben shumë Kamzës që në këtë sfidë vinte pas dy humbjeve radhazi.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency