Kombëtare

U-19, Shqipëria dy miqësore me Kazakistanin ne Lushnjë

Federata Shqiptare e Futbollit njoftoi se Kombëtarja U-19, e drejtuar nga trajneri Erjon Bogdani, do të zhvillojë dy ndeshje miqësore ndaj përfaqësueses së Kazakistanit për këtë grup-moshë. Sfidat do të zhvillohen në qytetin e Lushnjës në datat 24 dhe 27 Mars 2018. Bogdani për këto miqësore ka grumbulluar 25 futbollistë, të datëlindjes 2000, ku dhjetë prej tyre aktivizohen në kampionatin tonë dhe pjesa tjetër e kontigjentit të kësaj përfaqësuese vijnë nga liga dhe kampionate të tjerë.

 

Nisim grumbullimin të hënën në datën 19, për dy ndeshjet miqësore me Kazakistanin që do të na shërbejnë për kualifikueset e muajit tetor. Pres të konsolidojmë stërvitjet që bëm në janar, si edhe ti japim vazhdimësi ndeshjeve në turneun Roma Caput Mundi, ku kemi luajtur shumë mirë. Skuadra nmë pëlqeu, në tre ndeshje shënuam nëntë gola, edhe pse humbëm me penallti finalen përballë Rumanisë.

Lista me 25 emra të datëlindjes 2000 përbëhet nga lojtarë të kampionatit shqiptar, por edhe nga futbollistë që luajnë në Itali, Angli, Spanjë e Greqi. Sipas Bogdanit, objektivi për kualifikueset e muajit tetor është kualifikimi në “Elite Round”.

 

Pothuajse është ky grupi. Edhe vjet në kualifikuese ishin 9-10 lojtarë të moshës 2000, të cilëve u dhashë përparësi, sepse janë futbollistë që premtojnë. Tani kanë edhe një vit më tepër eksperiencë dhe shpresoj që këto djem të luajnë sa më mirë në kualifikuese, ku edhe pse luajmë përballë skuadrave shumë të forta si Norvegjia, Ukraina apo Sllovakia do të pretendojmë të kualifikohemi.

Bogdani foli edhe për zgjidhjen e problemeve në portë me përfaqësuesen e 19-vjeçarëve, si edhe për bashkëpunimin me trajnerin e Shpresave, Alban Bushi, të cilit i ka sugjeruar afrimin në skuadër të talentit të Interit, Armand Rada.

 

Kemi pasur pak probleme me portierët. Në këtë grumbullim kam thirrur edhe Marko Aliajn, një portier që luan te Lazio, që ka qenë edhe vjet me ekipin te turneu i vjetshëm i Roma Caput Mundi të cilin e fituam. Është në një periudhë që po luan shumë mirë te Lazio dhe po tregon vlerat e tij. Bashkëpunimi me trajnerin e U21 Bushi? Kam një bashkëpunim shumë të mirë me Albanin. E kemi pasur gjithmonë, prej periudhës kur luanim bashkë si futbollistë, por edhe tani si trajner. I kam sugjeruar Radën, sepse është një lojtar që po tregon vlera te Interi, ku luan në mënyrë konstante ndërsa skuadra e Interit kryeson në kampionatin e të rinjve.

Konferenca për shtyp e Bogdanit.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency