Zidane: Emocion të përballesh me Juventusin, Neymar ende i PSG-së
Për teknikun Zinedine Zidane duket se supersfida Juve-Real ka nisur të luhet në mendjen e tij. Në konferencën për shtyp, në vigjilje të sfidës me Gironën në La Liga, tekniku i Los Blancos komentoi shortin e çerekfinaleve të Champions League, duke evokuar edhe të shkuarën.
“Nëse më pyesni për Juventusin, sigurisht që do të them se është një rival shumë i fortë dhe kompetitiv, sikundër rezultoi edhe vitin e shkuar, një rival i komplikuar. Më pëlqen që do të luajmë përballë tyre, edhe pse do të kisha preferuar t’i shmangnim. Sa herë që gjendem përballë bardhezinjve, emocionohem, pasi më kujtohen 5 vitet që kam shpenzuar atje. Sidoqoftë shanset tona për këtë sfidë janë 50/50, e rëndësishme është që në fushë do të japim gjithçka, më pas mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë. Gjithsesi, përpara kemi sfidën e kampionatit, për të cilën mund të them se kemi pasur kohën në dispozicion për t’u përgatitur, rikuperuar dhe dy ditë për të pushuar”, tha Zidane.
Lidhur me spekulimet e fundit për transferimin e Neymar në skuadrën që ai drejton, apo gjendjen e Gareth Bale në ekip, francezi 45-vjeçar shprehet:
“Secili prej nesh mund të thotë atë që mendon apo dëshiron, pasi afrimi i tij do të ishte diçka e bukur, por e vërteta qëndron se Neymar, edhe pse një talent i padiskutueshëm, për momentin nuk është pjesë e formacionit tonë, nuk është një lojtar i yni dhe si trajner më takon të flas vetëm për lojtarët tanë. Ndërkohë që edhe Bale është lakuar shumë nga mediat për mënyrat e tij, por ai është një lojtar i rëndësishëm për ne dhe e rëndësishme është që ai ndihet i lumtur që është pjesë e kësaj skuadre”.
Për takimin e së dielës në shtëpi, përballë Gironës, Zidane shprehet se do të kenë përballë një rival kompetitiv pasi ai nuk beson se ka ekipe të vogla. I pyetur nëse 3-eshja e tij Bale-Benzema-Cristiano ka të përbashkëta me Neymar, edhe njëherë tjetër Zidane iu përgjigj thjesht, se lojtarët e kalibrit mund të përshtaten farë mirë në çdo ekip, e për më tepër në çdo pozicion.



