NBA, Westbrook magjik, Oklahoma ndal Toronton, shkëlqejnë Houston e Portland
Një Rusell Westbrook në superformë ndal hovin e Toronto Raptors në NBA. Pas 11 fitoresh radhazi skuadra kanadeze u rikthye me këmbë në tokë pasi u mposht brenda në Air Canada Center nga Oklahoma City Thunder me rezultatin 132-125. Ishte një spektakël i vërtetë basketbolli sfida e zhvilluar në Toronto ashtu siç vetëm NBA di të dhurojë, por në fund skena ishte e gjitha për yllin e Oklahomës Westbrook, autori i një paraqitjeje fenomenale. Me 37 pikë, 14 asiste dhe 13 rebound Westbrook arriti edhe njëherë tjetër shifrat e dyfishta në çdo aspekt të lojës duke lënë deri diku në hije dy fantastikët e Raptors, DeMare DeRozan e Kyle Lowry-in të cilët të dysëbashku realizuan vetëm 46 pikë. Për City Thunder kjo ishte fitorja e 6-të radhazi me Oklahomën që pothuajse e ka siguruar kualifikimin në play-off.
Mbrëmje e hidhur për dy kryesueset e konferencës së Lindjes pasi përveç Torontos, një humbje të rëndë pësoi edhe Boston Celtics. 17-herë kampionët e NBA-së u dorëzuan pa kushte përballë New Orleans Pelicans në transfertën e Louissianas me shifrat e thella 108-89. Pas një periode të parë shumë të mirë te Bostoni u ndje mungesa e yllit të ekipit Kyrie Irving, ndërkohë që në krahun tjetër Anthony Davis bëri liderin e vërtetë duke koleksionuar në total 34 pikë 3 asiste dhe 11 rebound për të udhëhequr drejt fitores New Orleans.
Vetëm një humbje në 23 ndeshjet e fundit për Houston Rocekts që vazhdon të mos ndalet. Skuadra teksane blindoi vendin e parë në Perëndim me fitoren e 5-të radhazi. Houston triumfoi në transfertën e Minneapolis përballë Minnesota Timberwolves me rezultatin 129-120, në një ndeshje ku i përhershmi James Harden ishte më i miri mbi parket për të tijët duke realizuar 34 pikë 12 asiste dhe 4 rikuperime poshtë tabelës.
Por skuadra e momentit në NBA është padiskutim Portland Trail Blazzers. As Los Angeles Clippers nuk i bëri dot ballë furisë së skuadrës nga Oregoni me Portlandin që regjistroi fitoren e 13-të radhazi. Në Staples Center fituan miqtë me rezultatin 122-109, ndërkohë që kalifornianëve nuk u mjaftuan 30 pikët e realizuara nga Lou Williams.



