Sahiti dhe Kallaku: Duam vendin e dytë në grup
Përfaqësueja U-21 e Shqipërisë nisi grumbullin në kuadër të përgatitjeve për dy eliminatoret e radhës me Sllovakinë, e para më 23 mars në “Selman Stërmasi”, ndërsa e dyta me 27 mars në transfertë. Ermir Sahiti dhe Sherif Kallaku ishin dy të përzgjedhurit për të folur në konferencën për shtyp të kësaj të hëne. 19-vjeçari Sahiti, pjesë e Hajdukut të Splitit, ka refuzuar si Maqedoninë dhe Kosovën për të luajtur me Shqipërinë.
“Dua të jem i qartë. Nuk do të pranoj asnjë kombëtare tjetër, përveç Shqipërisë. As Maqedoninë dhe as ndonjë ekip tjetër. Ndeshjet e radhës kundër Sllovakisë janë shumë të rëndësishme për ne. Ne do të punojmë fort me trajnerin Alban Bushi dhe shpresojmë të arrijmë rezultatet që duhen. Kam besim se me këtë grup lojtarësh do t’ia dalim mbanë”.
Ndërsa Sherif Kallaku, pjesë e Laçit në Superiore, tha se prania në Kombëtaren e Shpresave i jep një ndjesi të veçantë.
“Janë dy ndeshje shumë të vështira. Duhet të marrim maksimumin, sepse duam të kapim vendin e dytë në grup. Trajneri Alban Bushi është i qartë me atë që kërkon nga ne, ndaj duhet të aplikojmë lojën dhe skemat e tij”.



