Premier League

Salah, “Faraoni” që shndrit në majë të piramidës së futbollit

Në majën e piramidës së futbollit anglez qëndron një “faraon”, egjiptiani Mohamed Salah, “ylli” i ri i Liverpoolit, ish-sulmuesi i Romës dhe Fiorentinës në Serinë A, që këtë sezon ka realizuar 28 gola në Premier League, 36 në total për 41 ndeshjet e të gjitha kompeticioneve më fanellën e “The Reds”. Salah e ka udhëhequr skuadrën e Jurgen Klopp drejt vendit të tretë në klasifikim, duke dhënë një kontribut domethënës edhe për arritjen e fazës çerekfinale të Championsit, ku në prill do të marrë jetë një derbi spektakolar anglez Liverpool-Manchester City.

25-vjeçari Salah është ylli i padiskutueshëm i momentit në Angli. “Pokeri” i realizuar ndaj Watfordit e shkëputi edhe ndaj Harry Kane në garën e golashënuesve më të mirë me një avantazh prej katër golash. Shënimi i një tjetër goli do të bënte që Salah të barazonte Drogbanë në udhëheqjen e tij si kryegolashënuesi afrikan i të gjitha kohërave në Premier League, ndërkohë që, nëse do të shënojë edhe dy gola, do të marrë automatikisht statusin e “bomberit” absolut. I lindur në Basyoun, qytet 100 km larg Kairos, 25-vjeçari ka disa karakteristika të veçanta, edhe pse aglishtja e tij është kaluese, ai zgjedh të flasë pak, të mos pijë alkool dhe duhan dhe të lutet gjithnjë pas shënimit të një goli. Një profesionist në të gjitha kuptimet e që ka fituar edhe afeksionin e një trajneri pasionant si Jurgen Klopp.

“Nuk e prisja që të ishte në këto nivele, të shënonte kaq shumë. Stili i tij dhe rreziku që ai përbën në fushë për kundërshtarin janë karakteristika të një lojtari të madh si Messi.”

Edhe pse Salah nuk ishte në listën dëshirave të trajnerit Kloop, tashmë ky i fundit është konvertuar në një besimtar të kultit “Salah”. Aq sa tingëllon i ekzagjeruar, por justifikohet nëse merr parasysh faktin se tashmë lojtari egjiptian konsiderohet “Messi i Afrikës”.

Roma e shiti për vlerën e 42 milionë eurove, por në vetëm 9 muaj te Liverpooli vlera tij në merkato është katërfishuar, tashmë kuotohet plot 163 milionë euro. Një “boom” i jashtëzakonshëm, që e ka kthyer atë në një fenomen të futbollit anglez. Asnjë lojtar i Liverpoolit nuk kishte shënuar kaq shumë në një hark kohor kaq të shkurtër me fanellën e “The Reds”. Salah do të marrë pjesë në Botërorin “Russi 2018”, duke qenë imazhi i Egjiptit, që i rikthehet Kupës së Botë pas një mungese prej 28 vitesh.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency