Kombëtare

Skela: Ka humbur numri 10, Panucci më pëlqeu shumë

5 vjet pasi i dha lamtumirën Kombëtares Shqiptare, Ervin Skela u kthye në ambientin kuqezi në rolin e trajnerit si pjesëmarrës në kursin UEFA Pro.

Është e vështirë të japim mendim si e shoh unë apo si e shohim ne Kombëtaren, është një cikël i ri, me lojtarë të rinj që do të japin maksimumin dhe do të bëjnë më të mirën.

Ish-mesfushori vlerëson medodat e Panuccit dhe tregon elementët që i pëlqyen në punën e italianit me ekipin.

Më pëlqeu jashtë mase. Kishte shumë komunikim dhe shumë këshilla për lojtarët. Kjo është një ndihmë e madhe për lojtarët e rinj. Unë në Kombëtare i kam pasur shumë të pakta këto këshilla, për mënyrën e vendosjes në fushë dhe korrigjimet që duhen bërë. Më pëlqeu shumë dhe për lojtarët e rinj është jashtëzakonisht shumë e vlefshme.

Kur Skela u tërhoq nga kombëtarja, të gjithë pyesnin se cili futbollist mund ta bënte rolin e tij. 41-vjeçari tregon se futbolli ka ndryshuar shumë në dekadën e fundit.

Ka humbur numri 10 i famshëm apo organizatori. Në futbollin modern kërkohet që sulmuesit dhe organizatorët të mbrojnë edhe më shumë. Futbolli është bërë shumë më i shpejtë dhe ekipet dhe lojtarët janë shumë të përgatitur fizikisht dhe taktikisht.

Para nisjes së Ligës së Kombeve Skela e sheh Shqipërinë si favorite për ta mbyllur grupin në vendin e parë.

Me Izraelin, pas humbjes në një ndeshje, ku nuk mund të flitej futboll, e treguam veten atje. Ndërsa Skocia është një skuadër me lojtarë të gjatë dhe fizike e që pa dyshim ka shumë emër. Por tani e kemi shkallën shumë më të lartë pas kualifikimit në Europian. Nuk kërkojmë vetëm të jemi aty por luajmë gjithmonë për vendin e parë. Këta djem e kanë rritur vetë nivelin deri në këtë pikë të lartë dhe tani duhet vetëm ta mbajnë.

Vlonjati rrëfeu edhe jetën e tij në Gjermani dhe punën te Eintrachti i Frankfurtit.

Jam shumë krenar që në një klub si Eintracht Frankfurt ndodhem mes legjendave të futbollit gjerman si ambasador i klubit. Jetoj me familjen në Frankfurt prej shtatë vitesh, në klub shërbej për akademinë e futbollit dhe më jep kënaqësi puna e trajnerit. Të bëj UEFA Pro është një vlerësim shumë i madh, më vlen edhe në Gjermani dhe dua të vazhdoj ta bëj këtë punë dhe më pak fat të jem në nivele të larta.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency