Flamurtari dhe Kamza me ritëm mbijetese në fazën e 3-të
Përfundimi i fazës së 3-të të kampionatit sjell një konfigurim të ri të skuadrave në arritjen e objektivave. Situata nuk ka ndryshuar për Skënderbeun që vijon të ecë me hap kampioni, ashtu si dhe për Lushnjën që ka marë rrugën drejt Kategorisë së Parë. Pjesa tjetër e skuadrave ka patur ulje-ngritje gjatë kësaj ecurie dhe në sprintin final situata ka ndryshuar kryekëput.
Kështu, në përfundimin e fazës së parë Kukësi renditej i dyti pas Skënderbeut dhe menjëherë më pas ishte Flamurtari i ndjekur nga surprizat Kamza dhe Laçi. Partizani dukej më pranë mbijetesës sesa zonës europiane, me Lushnjën që garonte bashkë me Vllazninë, Teutën dhe Luftëtarin, por në fazën e dytë skuadra më e mirë për ato 9 ndeshje rezultoi Laçi që theu për herë të parë Skënderbeun këtë edicion, duke grumbulluar 17 pikë, me Flamurtarin që ruante të njëjtin ritëm, duke marë 16 pikë.
Me një fytyrë ndryshe u paraqit Kukësi në këtë fazë, pasi grumbulloi vetëm 11 pikë, dy më shumë se Vllaznia dhe Teuta, që vijonin të ishin në garë për mbijetesën. Me hapa të mëdha eci Luftëtari, që iu rikthye pretendimeve europiane falë ecurisë pozitive nën drejtimin e Hasan Likës. Në fazën e 3-të situata ndryshoi tërësisht për dy ekipe të cilësuara tepër të forta, Flamurtari dhe Kamza. Vlonjatët kanë grumbulluar vetëm 5 pikë në 9 javët e raundit të tretë të kampionatit, ndërsa Kamza 8 pikë, duke rrezikuar të përfshihen në vorbullën e mbijetesës.
Skënderbeu dhe Kukësi kanë rigjetur ritmin, ndërsa Luftëtari pavarasësisht ndonjë periudhe me luhatje ka qëndruar mes pretendentëve për Europën. Faza e 3-të mund të konsiderohet pozitive edhe për Partizanin, sidomos në javët e fundit, pasi u dhanë mundësinë të kuqve të rikuperojnë ndaj rivalëve, por edhe në klasifikimin e përgjithshëm. Mbetet për t’u parë në sprintin final nëse skuadrat do të respektojnë ecurinë si në fazën e dytë apo do të kemi ndryshime rrënjësore deri në fund të kampionatit.



