Champions League

Në ‘Anfield’ premtohet spektakël, Roma synon surprizën ndaj Barçës

Në muajin dhjetor, kur u hodh shorti i fazës me eliminim të drejtpërdrejtë Anglia kishte plot pesë klube në 16 skuadrat e mbetura të fazës së knock out-it, megjithatë është e sigurtë që në raundin gjysmëfinal shpikësit e sportit më të dashur në rruzull do të krenohen thjesht dhe vetëm me një ekip. Pas eliminimit me radhë në Champions të klubeve të tillë si Manchester United, Chelsea e Tottenham Hotspur më 16 mars shorti i hedhur në Nyon të Zvicrës u tregua vërtet i pamëshirshëm, teksa përplasi ndërmjet tyre pikërisht dy skuadrat e mbijetuara të këtij turi Liverpool-in dhe Manchester City-n.

Bëhet fjalë për dy nga tre skuadrat më të mira të edicionit të sivjetshëm në Premier League, megjithëse diferenca për momentin është plot 18 pikë dhe në kampionat “sky blues” kanë zhvilluar një ndeshje më pak. Në njërin krah qëndron klubi absolutisht më i lavdishëm britanik në gjithë historinë e Kupave të Evropës, ndërsa në anën tjetër një ndër skuadrat favorite për të triumfuar në edicionin e sivjetshëm në Champions League.

“Citizens” krenohen vetëm me Kupën e Kupave që kanë fituar në sezonin 1969-70, ndërsa “të kuqtë” numërojnë plot pesë tituj në aktivitetin më të rëndësishëm kontinental, madje trofeu i fundit i siguruar 13 vjet më parë në Stamboll, ku klubi nga Merseyside përmbysi në mënyrë të paimagjinueshme disavantazhin 3-0 ndaj Milanit të Ancelotit tregon më së miri historinë që përfaqëson Liverpuli. Nga viti 2007, kur “reds”-at e trajnerit spanjoll Rafa Benitez humbën në Athinë ndeshjen e revanshit me Milanin gjërat kanë ndryshuar vërtet shumë.

Liverpuli jo vetëm që vijon të mbetet pa titull në Premiership, por po tenton të ringrihet nën kurën e strategut gjerman Jurgen Klopp. Në krahun tjetër pavarësisht parave të shumta që ka shpenzuar për të ndërtuar ekipin më të shtrenjtë në gjithë historinë e futbollit Pep Guardiola më në fund ia ka dalë mbanë për të formuar një skuadër të denjë për pritshmëritë dhe ambiciet që ushqen Sheiku Khaldoon Al Mubarak. Në rrethana të tjera nuk duhej të kishte fare krahasim, megjithatë është pikërisht Jurgen Klopp trajneri që i ka shkaktuar humbjen e vetme City-t në kampionatin anglez, madje duke i shënuar plot katër gola ekipit të Guardiolës në Anfield, dy muaj e gjysmë më parë në fitoren mbresëlënëse 4-3.

Ky është rasti i 17 kur në historinë e Kupave të Evropës përballen dy skuadra angleze. Takimi i parë do të luhet pikërisht në Anfield-in mitik dhe “të kuqtë” nuk kanë asnjë arsye për të patur frikë, pasi dy ekipet e njohin vërtet shumë mirë njëri – tjetrin. Kjo është hera e nëntë kur klubi nga Merseyside përballet me një tjetër skuadër angleze dhe deri më sot “të kuqtë” kanë kaluar me sukses turin në pesë raste, ndërkaq City është eliminuar 47 vjet më parë në të vetmen përballje që ka patur, nga Chelsea.

Në këtë edicion në Champions treshja e Liverpulit Firmino – Salah – Mane ka shënuar plot 19 gola, ndërsa në anën tjetër spikat Kevin De Bruyne me 7 asiste, praktikisht po aq sa edhe James Milner. Në fazën e parë në kampionat City fitoi 5-0, por të kuqtë u penalizuan ndjeshëm nga dalja me karton të kuq e Sadio Manesë, ndërsa në Anfield gjërat ndryshojnë, pasi në këtë stadium “the reds” kanë fituar pesë përballjet e fundit ndërmjet tyre. Nëse në Evropë kjo është përballja e parë në Angli dy klubet janë ndeshur plot 178 herë dhe Liverpuli kryeson bindshëm bilancin 87 me 45. Ndeshja e kthimit do të luhet pas vetëm gjashtë ditëve, ndërsa takimi i parë do të drejtohet nga arbitri gjerman Felix Brych, gjithsesi dueli pritet me interes mbi të gjitha për të parë reagimin në aspektin taktik të dy trajnerëve, një sfidë brenda sfidave pasi Jurgen Klopp kryeson 6-5 në përballjet me Pep Guardiolën.

Ndeshja tjetër Barcelona – Roma ofron vërtet fare pak interes, sepse pas shortit të fazës çerekfinale skuadra e Ernesto Valverdes konsiderohet si skuadra favorite për të fituar edicionin e sivjetshëm. Një dekadë më parë “verdhekuqtë” ia dolën mbanë për të eliminuar brenda në ‘Santiago Bernabeu’ rekordmenët e Realit të Madridit, falë dy golave të vonë të dyshes Taddei – Vuçiniç, sidoqoftë këtë radhë ka fare pak mundësi që të përsëritet e njëjta situatë, për shkak të diferencave shumë të mëdha që kanë këto dy skuadra.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency