Shkëndija drejt Shkupit për t’i dhënë goditjen e fundit Vardarit
Shkëndija e Tetovës udhëton drejt Shkupit për ndeshjen e mesjavës me ekipin e dytë në renditje, Vardarin, në një takim që mund të shkurtojë shumë rrugën drejt sigurimit matematikor të titullit të kampionit.
Kur kanë mbetur edhe 9 ndeshje deri në fund të sezonit, Shkëndija ka 20-të pikë më shumë se rivali më i afërt. Në takimin e 7 marsit tetovarët dominuan 4-0, duke i dhënë Vardarit një “shuplakë” edhe në Kupën e Maqedonisë, pasi paraprakisht ishin arratisur me diferencë të madhe në kampionat.
Ecuria e shkëlqyeshme ka bërë që kjo ndeshje mos të ketë kurrfarë vlere, përveç faktit që me fitore eventuale Shkëndija shkurton dukshëm rrugën drejt sigurimit edhe matematikisht të titullit të kampionit shumë xhiro para fundit të sezonit. Kuqezinjtë janë në formë shumë të mirë, nuk njohin humbjen në pranverë me 7 fitore dhe 2 barazime. Vlen të përmendet fakti që në 8 takime radhazi nuk kanë pësuar gol.
Stafi teknik kërkon seriozitet maksimal, por në asnjë mënyrë ndonjë eufori të panevojshme, duke e shikuar këtë përballje si gjithë tjerat. Nuk ka probleme me formacionin, pasi gjithë futbollistët janë të gatshëm për lojë e gjithashtu nuk ka as pezullime. Ndeshja Vardari-Shkëndija luhet të mërkurën në stadiumin “Filipi i Dytë” në Shkup, me fillim në orën 15:00.
Shkëndija dominuese ndaj Vardarit
Ky është viti i Shkëndijës dhe kuqezinjtë kanë dominuar rivalët në të dyja garat vendore. Sinjalet e një sezoni të shkëlqyeshëm u dhanë që në xhiron e parë kur Shkëndija më 12 gusht në Tetovë fitoi ndaj Vardarit 2-0 dhe praktikisht nisi sezonin me tre pikë epërsi para rivalit. Krahas kampionatit, tanimë disa vite me radhë dy rivalët e mëdhenj ndeshen në fazën e hershme të Kupës dhe Shkëndija sërish ruajti bilancin pozitiv, duke eliminuar kundërshtarin për herë të katërt në pesë edicione që janë vënë përballë njëra-tjetrës.
Barazim 1-1 në Shkup dhe triumf bindës 4-0 në Tetovë hodhën Vardarin jashtë Kupës edhe këtë sezon, me Shkëndijën që më vonë eliminoi edhe Renovën në gjysmëfinale, për të siguruar finalen, ku do të diskutohet trofeu. Këtë pranverë Shkëndija barazoi 1-1 në Tetovë për ndeshjen e kampionatit. Dështimin e vetëm në takimet e këtij sezoni kuqezinjtë e kishin në vjeshtë, kur edhe pse dominuan dhe dy herë ishin në epërsi, në fund rënia e përqendrimit kushtoi me humbje 4-2, që më vonë me ecuri të shkëlqyeshme u bë tërësisht e pavlefshme.



