Chelsea siguron Europën, paqe në Leicester-Southampton
Chelsea i Antonio Contes ka fituar sfidën direkte ndaj Burnleyt dhe ka siguruar një vend në Europa League, ndërsa ka hapur ‘një dritare’ për të synuar një vend në Champions, ndonëse kanë mbetur vetëm 4 javë nga fundi.
Në transfertën ndaj Burnleyt, blutë e Londrës kaluan në avantazh falë një autogoli të Long, ndërsa vendasit barazuan në fillim të pjesës së dytë.
Gjithsesi skuadra e Contes mori 3 pikët falë golit të shënuar nga Victor Moses në minutën e 69, ndërsa me këtë fitore, Chelsea shkon në kuotën e 63 pikëve, 5 më pak se Tottenhami i vendit të 4-t.
Takimi tjetër i Premier Leagues, ai mes Leicesterit dhe Southamptonit përfundoi në barazim pa gola, pavarësisht rasteve të shumta për shënim nga të dy skuadrat.



