Dalipi: Dua luftëtarë, me inteligjencë e mposhtim Skënderbeun
Në të parën nga shtatë finalet e mbetura të sezonit, Klevis Dalipi sqaroi situatën te Partizani. Nga humbja e thellë në Kukës, për të vazhduar me sfidën e radhës ndaj Skënderbeut, por edhe situatat brenda grupit dhe zërat e merkatos rreth disa prej yjeve të ekipit. Në Kukës, ndikoi euforia, me trajnerin që merr përsipër përgjegjësitë dhe shpreh besim te grupi që drejton.
Euforia nuk na la të shfaqeshim më së miri në një ndeshje delikate si ajo me Kukësin. Pas ndeshjes thashë që jam unë i pari që mbaj përgjegjësi jo lojtarët. Kjo fanellë duhet përfaqësuar denjësisht. Jo se e kam humbur besimin te lojtarët, por synojmë që gjithkush të japë diçka më tepër nga sa mundet, sigurisht që rezultati do të jetë më i mirë.
Përgjigjja pritet prej duelit të së hënës me Skënderbeun, me Dalipin që pret reagim pozitiv nga skuadra, pavarësisht se ka vlerësimet maksimale për rivalët dhe kolegun Ilir Daja.
I dimë vlerat e Skënderbeut, por ne jemi Partizani: në çdo kampionat luajmë për trofe, në çdo ndeshje hyjmë për ta fituar. Duhet dëshirë për të fituar, por edhe mprehtësi dhe eksperiencë e inteligjencë. Ilir Daja? Ka fituar trofe me Dinamon dhe Elbasanin. Gëzoj respekt të veçantë dhe është një shembull dhe frymëzim për brezin e ri të trajnerëve. Ai tashmë thuajse e ka fituar titullin, por ne do të bëjmë lojën tonë dhe do të zbresim në fushë për ta fituar ndeshjen.
Drejtuesi i stolit të kuq mohoi zërat për probleme brenda grupit, duke e cilësuar të zakonshëm debatin në stërvitje të Çanit me Bardhin. Pasi mohoi që edhe ai të ketë probleme me yllin e repartit ofensiv, Dalipi tha se ky është karakteri që nevojitet për një ekip fitues.
Nuk dua një dhomë zhveshje, apo një grup lojtarësh që të jenë super të edukuar. Dua luftëtarë. Nëse në këtë kuadër lojtarët stërviten me agresivitet dhe dëshirën për të fituar gjithmonë. Nuk ka konflikt ndërmjet Bardhit dhe Çanit, por Çani si më veteran kërkoi që të gjithë të jepnin më të mirën për të fituar dhe kjo është pozitive. Me Çanin personalisht nuk kam asnjë debat, por jam i hapur që të diskutojmë për gjithçka që i shërben punës.
Rreth spekulimeve të merkatos për largimin e mundshëm të kapitenit Batha apo interesimin e Skënderbeut për Fejzullahin, trajneri shprehu besim se Partizani do të jetë gjithmonë opsioni i tyre i parë.
Rreth hamendësimeve për largime apo përfundim kontrate për Bathën apo Fejzullahin dua të them se Partizani është i pari klub që negocion për vazhdimësinë e këtyre lojtarëve, pavarësisht se të tjerët mund t’i dëshirojnë.



