Buzëqesh Daja, James dhe Shehi gati për Kukësin, Sowe në pikëpyetje
Klubi vijon betejën ligjore me UEFA-n për të shpëtuar të ardhmen, skuadrës në fushë i duhet të vazhdojë serinë e fitoreve. Suksesi i radhës vlen festën për titullin, edhe pse përballë do të jetë një Kukës i vendosur për të mos abdikuar në përballjen e drejtëpërdrejtë. Lajmet e mira për Ilir Dajën nuk mungojnë, për sfidën me kampionët trajneri do të ketë në dispozicion dy pika kyçe në skajet e fushës, Orges Shehin në portë dhe James në repartin e sulmit. Rikthime tejet të rëndësishme për vetë eksperiencën e gardianit të portës ndërkohë që mungesa e James u ndie së tepërmi në sfidën e fundit me Partizanin, tashmë nigeriani është i gatshëm për të dhënë kontributin e tij, por ai që shqetëson në kampin korçar është sulmuesi kryesor dhe kryegolashënuesi i skuadrës, Ali Sowe. Futbollisti nga Gambia i është nënshtruar ekzaminimeve mjekësore rezultati i të cilave ka qenë se ende nuk mund të fillojë stërvitjen me grupin. Sowe i duhet që të vijojë programin e rikuperimit me vrapime veçmas nga skuadra, dhe evolimi i gjëndjes së tij, veçanërisht këtë të premte do të jetë vendimtar për të përcaktuar shanset e sulmuesit për të qenë në fushë. Gjithsesi mundësitë që Sowe t’ia dalë për të qenë titullar këtë të dielë duken të pakta, pasi edhe nëse 23-vjeçari ja del që të fillojë stërvitjen me grupin, vështirë se mund tja dalë që të dielën të jetë në formë optimale për një ndeshje të vështirësisë së lartë si ajo me Kukësin.



